VIDEO/ Nga kaosi brenda seancës te djegia e karrigeve në oborrin e Parlamentit, çfarë ndodhi sot në Kuvend. Opozita nis revoltën pas burgosjes së Salianjit

1 month ago 21

Teksa ishte paralajmëruar se dita e sotme në Parlament do të shoqërohej nga kaosi dhe tensionet, deputetët e Partisë Demokratike nuk vonuan për të treguar zemëratën e tyre kundrejt dënimit të Ervin Salianjit me nisjen e seancës.

Ligjvënësit demokratë iu drejtuan menjëherë foltores së Kuvendit, e cila u rrethua nga Garda e Republikës, duke ri sjellë në memorie skenat e disa muajve më parë në Parlament.

Duke mos përmbajtur indinjatën e tyre, demokratët nisën të hedhin pjesë të karrigeve, kartona e mikrofonë drejt karriges së kryeparlamentares .

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali njoftoi më pas ndërprerjen e mandatit të Ervin Salianjit, pasi deputeti demokrat u dënua me 1 vit burg dhe prej të premtes po kryen dënimin në Burgun e Fierit.

Spiropali deklaroi se vendimi ndaj Salianjit është i formës së prerë dhe prandaj nuk ka pse të Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit nuk është i nevojshëm të mblidhet.

Duke përshkallëzuar protestën e tyre, deputetët demokratë filluan të tërheqin karriget e tyre drejt oborrit të Kuvendit duke formuar një grumbull, të cilit më pas i vunë flakën.

Teksa karriget digjeshin dhe hyrja e Parlamentit ishte thuajse e pakalueshme kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi tha se opozita nuk lufton për karrige në Kuvend, por për interesin publik.

Sipas tij, Ervin Salianji është sot në burgun e Fierit, vetëm pse denoncoi lidhjet e politikanëve me krimin.

Ne po djegim karriget tona. Ne nuk jemi këtu për karriget tona. Jemi këtu për të mbrojtur interesin publik. Salianji denoncoi lidhjet e Fatmir Xhafajt me krimin. Karriget tona janë të qytetarëve. Edi Rama ka djegur parlamentin”, tha Bardhi.

Pas fjalës së Bardhit dhe tensioneve në parlament, nga parlamenti u dha 10 minuta pushim, për qetësimin e situatës.

Me një situatë të pamenaxhueshme krye parlamentarja Spiropali njoftoi mbylljen e seancës së sotme pas vetëm rreth 20 minutave.

Ajo paralajmëroi demokratët se aktet e tyre do të shoqërohen me pasoja, ndërsa më herët kishte njoftuar Flamur Nokën se ai ishte i përjashtuar nga salla.

Ndërkaq, në oborrin e Parlamentit pjesëtarët e Gardës punonin për shuarjen e zjarrit, ndërsa deputetët demokratë dolën para mediave për të shprehur qartë qëndrimin e tyre.

Noka, Gjekmarkaj, Sula e Çupi mes të tjerësh përsëritën se dënimi i Ervin Salianjit është i padrejtë dhe ky është një akt lufte ndaj opozitës nga ana e qeverisë socialiste.

Ata theksuan se në datën 7 tetor, qytetarët shqiptarë do të dalin në rrugët e Tiranës për të mbrojtur demokracinë dhe se pamjet e shfaqura sot do të përsëriten.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article