VOA/ Kurban Bajrami, ja si u festua në Shqipëri

4 months ago 37

Mijëra besimtarë myslimanë po festojnë sot në Shqipëri Kurban Bajramin, një nga ditët më të rëndësishme të besimit të tyre.

Ata u mblodhën herët në mëngjes në shëtitoren Dëshmorët e Kombit, ku uruan njëri tjetrin dhe ndoqën ceremonitë e festës, si dhe mesazhet e drejtuesve fetarë.

Drejtuesit fetarë u bënë thirrje besimtarëve për solidaritet me njerëzit në nevojë si dhe për një angazhim më të madh të intelektualëve në çështjet shqetësuese të shoqërisë.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, theksoi në mesazhin e tij se kjo është një festë, në të cilën në çdo zemër e vatër duhet të hyjë gëzimi, dora e solidaritetit dhe përkrahjes.

Ai bëri thirrje që kjo festë të të shndërrohet në pikënisjen e reformimit shpirtëror dhe kulturor, për t’u kthyer në një shoqëri vlerash, ku të mbizotërojë dituria, e cila të lërë mënjanë të paditurit.

“Njerëzit e ditur janë busulla e një kombi. Nga dijetarët dhe intelektualët kërkohet të flasin më shumë. Duhet të dëgjohet zëri i tyre, mendimi dhe qëndrimi i tyre, sepse kjo është në dobi të të gjithë njerëzve. Kështu merr kuptim edhe dija e tyre dhe vlera e saj. Nëse ata heshtin, hesht njerëzimi, ose flasin ata që nuk dinë. Shenja e shkatërrimit të kësaj bote ështëkur flet i padituri dhe hesht i mençuri”, tha zoti Spahiu.

Ai tha se mendimet e dijetarit dhe intelektualit nuk duhet të jenë të programuara me interesat e individëve apo grupeve, por ata duhet të flasin për hir të së vërtetës dhe drejtësisë, për hir të Atdheut, Kombit, dhe ata duhet të jenë inkurajuesit dhe luftëtarët e këtyre idealeve të larta.

Kurban Bajrami shënohet nga besimtarët besimtarë si festa e ngjalljes së shpresës dhe e optimizmit për më shumë besnikëri ndaj Zotit.

Në festën e sotme u mësua se mes shumë besimtarëve nga e gjithë bota, të cilët po kryejnë pelegrinazhin e Haxhit, janë edhe disa qindra besimtarë nga Shqipëria.

Besimi mysliman është më shumë i përhapuri në shoqërinë shqiptare, më pak janë besimtarë ortodoksë, të krishterë dhe bektashinj. Ata bashkëjetojnë ndër shekuj në mirëkuptim dhe tolerancë, aq sa në Shqipëri nuk është regjistruar ndonjëherë asnjë konflikt me bazë fetare. /VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article