Vrasjet e grave/ Dhuna është shtuar në Kosovë

10 months ago 20

Gjatë këtij viti në Kosovë janë vrarë katër gra, viktima më e fundit ishte Liridona Ademaj e cila u qëllua në sy të fëmijëve në një ngjarje për të cilën është arrestuar bashkëshorti. 

Nga janari janë evidentuar 2186 raste të dhunës në familje, ku 1763 prej tyre janë gra e vajza sipas të dhënave të policisë së Kosovës.

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi shprehet se institucionet shtetërore duhet të veprojnë në parandalimin e këtyre rasteve që mos të përfundojë deri te pasoja e dhunës.

“Kjo situatë e tashme çfarë kemi ne këtu dhe politikat e ligjet, dhe udhëzime ndërkombëtare që janë të zbatuara në Kosovë, mendoj që duhet të jemi shumë më pro-aktiv në parandalim të këtyre rasteve, mos të vijmë deri tek pasoja e dhunës, ndërsa reagimi vjen me vonesë, atëherë kur duhet të ndërmarrën masat çoftë nga policia, çoftë kufizime të tjera… Nuk jemi shumë të them të theksuar në aspektin statistikor, jemi në ngritje të vogël, por kjo duhet të na vetëdijësojë”, u shpreh ai.

Ibishi apeloi që të ndërmerret një fushatë e dorëzimit të armëve ilegale sepse zakonisht nga ato armë e po kryhen vrasjet, grabitjet e kërcënimet.

Psikologu Petrit Thaçi thotë se vrasja është shpërthimi më i shëmtuar i instinktit dhe se kohëve të fundit kriteri i këtyre akteve ka humbur toruan .

“Vrasja është një dukuri realisht e shëmtuar, është zbrazja maksimale e një energjie problematike, negative e botës njerëzore, është shpërthimi më i shëmtuar i instinktit, agresionit i cili instinkt është i projektuar të vihet në përdorim vetëm atëherë kur ne jemi të rrezikuar por kohëve të fundit po e shohim që tani kriteri i këtyre akteve, sikur e ka humbur toruan, kuptimin, funksionin, sigurisht që len një shije të keqe për të gjithë.. Arsyet mund të jenë të shumta, gjithmonë paraprinë një ndjesi problematike e vrasësit, i cili percepton në diçka, në atë çfarë ai posedon … Ai mund të marrë veprim që t’i eliminojë nga skena, pra, një ndjesi që gjërat po na dalin nga kontrolli, një ndjesi e mbushjes me hakmarrje dhe vjen një moment që shpërthen në atë dhunën e agresionin, deri tek një krim i shëmtuar”, vijoi Thaçi.

Këtë fundjavë prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar ndalimin e personit të katërt, i cili dyshohet se është i përfshirë në vrasjen e Liridona Ademajt. Ndërkohë që dy djemtë e çiftit si raportojnë mediat kosovare janë nisur në Suedi ku do të merren në mbrojtje inistitucionale pasi janë shtetas suedezë.

Top Channel

Read Entire Article