Vreshtaria në Kosovë do mbështetje! Kërkohet më shumë subvencion për komuna si Rahoveci

1 year ago 58
Reklamë

Fermerët në Kosovë  kërkojnë nga Ministria e Bujqësisë që të krijojë strategji të veçanta për rajone si Rahoveci që shquhet për vreshtari.

“Do duhet të ketë parasysh se rrushi nuk mbillet çdo vit, por njëherë në 100 vjet, kështu duhet të ketë një tretman më të veçantë. Mbështetje ka, mirëpo të ketë mbështetje akoma më të madhe që këtë kulturë ta ngrinim, e po ashtu ta bëjmë edhe një qytet i cili njihet në gjithë boten për turizmin e verave apo vreshtave”, thotë vreshtari Labinot Shulina.

“Parakushtet që Rahoveci me rrethinë mund të jetë edhe më i gjerë kufiri i plotëson për t’u shpallur zone strategjike e interesit të veçantë për bujqësi. Madje, ne kemi kërkuar dhe ju kemi drejtuar me shkrim edhe Ministrisë së Bujqësisë, sikurse edhe Komisionit funksional, Komisionit të përhershëm parlamentar që është jetike në qoftë se Rahoveci do të mbrohej me ligj”, shprehet Smajl Latifi, kryetar i komunës së Rahovecit.

Edhe eksperti i Bujqësisë, Imer Rusinovci është i mendimit se Ministria e Bujqësisë duhet të krijojë strategji zhvillimore.

“Duhet të caktohen zonat e caktuara për prodhime të caktuara, në mënyrë që krahas rajonizimit dhe prioritizimit që bëhet në bujqësi, atëherë edhe planifikimi do të ishte më i duhur për sasinë e planifikuar të prodhimit që mund të realizojmë për të ulë sasinë marramendëse të importit që është për shumë prodhime bujqësore. Kjo do të ishte një shtysë shumë e madhe për fermerët që me kohe e dinë çfarë duhet të kultivojnë dhe normalisht se shteti duhet të intensifikojë pikat grumbulluese të prodhimeve të caktuara bujqësore për distribuomin e tyre dhe plasmanin që duhet të jetë prioritet qoftë për prodhuesin, përpunuesin apo piken grumbulluese”, thotë eksperti i bujqësisë, Imer Rusinovci.

“Duhet të ndryshojë politika e subvencionimit të fermerëve dhe të bëhet një dallim i subvencionimit të rrafshit të Dukagjinit dhe të Komunës së Dragashit. Gjithashtu kam kërkuar që të bëhet edhe subvencionimi jo vetëm i tokave bujqësore, por edhe i kullotave”, shprehet Bexhet Xheladini, Kryetari i Komunës së Dragashit.

Ministri i Bujqësisë në Kosovë, Faton Peci thotë për KosovaPress se deri në fund të mandatit  do të bëhet një analizë duke parë cilësinë e tokës, dhe faktorët tjerë.

“Ndarja nuk ndodh në komuna, ajo ka me qenë në rajone dhe jo domosdoshmërisht vetëm një rajon përcaktohet ta zëmë për kulturën e patates apo specit, për shkak, se bëhet edhe në Podujeve dhe në Mamushë. Kështu, do të ndahen zonat, secila ka me pas top pesë produktet ku ka potencialin më të madh për zhvillim, ajo pastaj do të përkrahet më shumë nga institucionet dhe nga Ministria e Bujqësisë në të ardhmen”, thotë Faton Peci, ministër i Bujqësisë.

Top Channel

Read Entire Article