Në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar të PD disa deputetë kanë kërkuar nga Kyetari i Grupit Parlamentar të kërkojë shkarkimin e Kryetarës së Komisionit të Arsimit dhe Medias Flutura Açka, për shkak se sipas tyre nuk përfaqëson grupin parlamentar të kësaj partie dhe po pengon punën e deputetëve të opozitës.
E njëjta kërkesë është bërë edhe për stafin administrativ ndihmës të grupit, ku është kërkuar shkarkimin i disa këshilltarëve të grupit.
Burime për gazetarin e News24 Osman Stafa bëjmë me dije se disa deputetë kanë ngritur shqetësimin se Flutura Açka ndërmerr më shumë aksione kundër opozitës sesa kundër Edi Ramës apo ministrave të tij të korruptuar.
“Nuk po përmbush rolin e opozitës. Ai është pozicion i dedikuar për Grupin Parlamentar të PD. Kryetarja e Komisionit nuk vepron në përputhje me vendimet e grupit parlamentar. Pengon çdo nismë opozitare në Komision. Nuk reagon për sulmet e Edi Ramës ndaj medias, nuk ka pranuar asnjë kërkesë për të thirrur në dëgjesë Ministrinë e Arsmit për gjendjen skandaloze në arsim, nuk bashkëpunon për të mbajtur përgjegjëse ministrinë e kulturës për gjendjen e kulturës dhe shkatërrimin e institucioneve të trashëgimisë kulturore.
Pengoi votimin e kërkesës së opozitës për trajtimin në Komision të sjelljes intimiduese të Edi Ramës ndaj drejtuesve të emisionit Rai 3 dhe s’ka asnjë qëndrim për atë çështje. Është aty me votat tona, por punon kundër nesh dhe kundër opozitës. 80 % të mbledhjeve nuk është në Komision, nuk vjen, duke ia lënë drejtimin Evis Kushit. Asnjë denoncim dhe asnjë reagim për fushat që mbulon”, janë shprehur në shumicë deputetet demokratë.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi ka dalë kundër propozimit për shkarkim. Burime bëjnë me dije se Bardhi eshtë shprehur se “e mirëkupton shqetësimin që ngrihet, por, me veprimin që ju propozoni ne do të jepnim mesazhin e gabuar, sepse ne na duhet bashkimi dhe jo përjashtimi”.
“Mirëkuptoj faktin e shqetësimit që ngritën kolegët këtu që Flutura është aty me besimin e grupit parlamentar, është propozim i grupit. Po ai është pozicion për grupin parlamentar të PD. Mirëpo përpara se ne të hedhim një hap, duhet të bëjmë gjithçka që çdo deputet i PD të angazhohet më shumë në aksionin opozitar në Parlament.
Nuk dua të them që i vë në dyshim vërtetësinë e tyre, por më duhet të vlerësoj më në detaje shkaqet që u ngritën këtu. Prandaj nuk mendoj se duhet të bëjmë ndonjë propozim për shkarkim në këtë moment. Kryetari i Partisë të hënën, por edhe kryesia e partisë, folën për dorën e shtrirë të bashkimit me këdo që deri me sot ka menduar ndryshe nga ne. Nuk mendoj që grupi ynë parlamentar duhet të ketë një qëndrim të kundërt me këtë.
Pra dorë e shtrirë, jo përjashtim, jo hatërmbetje, jo shkarkime. Më mirëkuptoni, por nuk mund ta pranoj propozimin tuaj. Mund ti kthehemi kësaj teme ndoshta në ndonjë mbledhje tjetër”, tha Bardhi.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb