Zbardhet axhenda e Blinken në Tiranë: Do të takojë Begajn, Ramën dhe një grup të rinjsh 

8 months ago 6
12:03 14/02/2024

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të vizitojë neser Tiranën. Ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, aktualisht Zëvendës Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Yuri Kim së bashku me Ndihmës Sekretarin e Shtetit, James O’Brien në një konferencë telefonike për mediat nga Uashigntoni zbardhën axhendën e vizitës disa orëshe të kryediplomatit amerikan në kryeqytetin shqiptar.

Ai do të mbërrijë në Shqipëri rreth orës 11:00 dhe do të qëndrojë deri rreth orës 20:00. Sekretari amerikan Blinken do të takohet me Presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama, me të cilin do të ketë edhe një konferencë shtypi.

Zyrtarët e lartë amerikan bënë të ditur se Sekretari Blinken do të falenderojë krerët e shtetit dhe Shqipërinë që ka qenë bashkëpunëtorja e SHBA në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga viti 2000. Gjithashtu, gjatë kësaj vizite përfaqësuesi i lartë amerikan do të theksojë bashkëpunimin e madh të Shqipërisë me SHBA për afganët, si vijim i traditës historike për të strehuar të huajt.

Vetë DASH në njoftimin për turin e Blinken në Europë theksoi se në Tiranë ai do të riafirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i fortë në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Në fokus të bisedimeve do të jetë gjithashtu e ardhmja e Shqipërisë dhe e Ballkanit Perëndimor.

Më pas, gjithashtu Blinken do të takohet te Piramida edhe me një grup prej rreth 100 të rinjsh, që kanë studiuar në programe të ofruara nga Shtetet e Bashkuara si Fulbright dhe Programi i Vizitorit Drejtues Ndërkombëtar.

Pas Tiranës, ai do të udhëtojë drejt Gjermanisë ku do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Kjo do te jete vizita e parë e Blinken në Shqipëri. Më herët, vendin tonë e kanë vizituar edhe paraardhësit e tij: James Baker më 22 Qershor 1991, Madeleine Albright, më 19 Shkurt 2000, Colin Powell në vitin e 2003 dhe Hillary Clinton në Nëntor të 2012 dhe John Kerry, më 14 Shkurt të vitit 2016.

Tv Klan


Të ngjashme

Read Entire Article