Policia në SHBA ka identifikuar eshtrat e një burri, të gjetur 47 vjet më parë në një varr të cekët në kufirin e Arizonës dhe Nevadës, shkruan Sky News.
Një përparim në këtë rast bëri të mundur kërkimin e bazave të të dhënave të gjurmëve të gishtërinjve të paarritshëm më parë, transmeton Telegrafi.
Trupi i Luis Alonso Paredes u zbulua nga alpinistët në vitin 1976. Ai më në fund u identifikua pasi gjurmët e gishtërinjve të marra në atë kohë u krahasuan me gjurmët në një bazë të dhënash kombëtare, që nuk ishte në dispozicion para viteve 1970, tha të martën zyra e sherifit të qarkut Mohave.
Mbetjet e Paredes u gjetën më 23 nëntor 1976, në një zonë të shkretëtirës në veriperëndim të Arizonës, në lindje të liqenit Mohave. Ai ishte nga El Salvadori dhe mund të ketë jetuar ose punuar në zonën e Las Vegas në kohën e vdekjes së tij, thanë hetuesit.
Një autopsi e kryer në atë kohë tregoi se ai ka të ngjarë të ishte në mesin e të 30-ve, dhe ishte qëlluar në kokë në distancë, u tha nga zyra e sherifit.
Pavarësisht se autoritetet morën gjurmët e gishtërinjve dhe krijuan një robot fotografik pas gjetjes së trupit, viktima mbeti pa emër për gati 50 vjet përpara se hetimi të rihapej në tetor të këtij viti.
Oficerët krahasuan shenjat e gishtërinjve me të gjitha të dhënat në dispozicion, dhe përfundimisht arritën ta identifikonin atë. Hetuesit deri më tani nuk kanë qenë në gjendje të gjejnë ndonjë nga të afërmit e Paredes, por kanë zbuluar se ai ka të ngjarë të ketë punuar për Rojet Bregdetare dhe Marinën e SHBA në zonën e San Franciskos, për një dekadë para vdekjes së tij. /Telegrafi/