Në vendimin e arsyetuar për dënimin e Fredi Belerit, kryetarit të zgjedhur të Himarës dhe bashkëpunëtorit të tij Pandeli Kokaveshi, Gjykata e Posacme rrëzon dy nga argumentat më të forta të mbrojtjes.
Gazetarja Klodiana Lala raporton për Balkanweb se avokatët pretendonin se Arsen Rama, i infiltruari i policisë nuk ndodhej në territorin e Himarës, kur pretendohet se ka patur takime me Fredi Belerin, takime gjatë të cilave është regjistruar audio dhe video, si dhe është fotografuar. Mbrojtësit e ngrinin këtë pretendim nisur nga analizimi i tabulateve të telefonit. Por gjykata në vendim thekson se: “Lidhur me pretendimet e mbrojtësit të të pandehurit Dhionisios Alfred Beleri, se shtetasi Arsen Rama nuk ndodhej ne qytetin e Himarës në datat 10, 11, 12 maj kur janë zhvilluar takimet me të pandehurit Beleri dhe Kokaveshi, gjykata vletrëson se ky pretendim është i pambeshtetur në prova”.
“Referuar të dhënave të tabulateve të numrit në përdorim të shtetasit Arsen Rama, rezulton se në takimet e zhvilluara me të pandehurit, përkatësisht me datën 10 maj 2023 ora 08:40 deri në orën 08:48, ora 20:20 deri në orën 20:24 shtetasi Arsen Rama rezulton i loguar në territorin e Himarës dhe jo në ndonjë qytet tjetër”, arsyeton gjykata.
Duke u ndalur te regjistrimi audio dhe video i bisedave mes të pandehurve dhe te infiltruarit të policisë, gjykata arsyeton se avokatët nuk kanë ngritur asnjë pretendim për përmbajtjen e tyre dhe nuk kanë kërkuar dëgjimin e bisedave në seancë. “Sa i përket pretendimeve në lidhje me kqyrjen e pamjeve filmike, fotografike, ritraskiptimin e veprimeve të përgjimeve të pretenduara si të kryera në shkelje me ligjin, gjykata vlerëson se ky pretendim nuk është i pabazuar në ligj.
“Në çdo rast palët edhe gjatë gjykimit në themel mund të dëgjojnë në seancë gjyqësore përgjimet për të cilat kanë pretendime. Mbrojtësit e të pandehurve të pyetur nga gjykata në seancën e shqyrtimit të provave shkresore, nëse kishin pretendime mbi përmbajtjen e përgjimeve dhe nese donin të dëgjonin materialian audio-video kanë deklaruar se nuk kanë pretendime mbi përmbajtjen dhe nuk dëshironin ta dëgjonin këtë material”, thekson trupa gjykuese.
Gjykata thotë se krijoi bindjen bazuar në prova e fakte, sic janë përgjimet audio dhe video mes të panderhueve me të infiltruarin, ekspertimi i telefonit të Arsen Ramës, si dhe rrëfimet e dëshmitarëve se Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi e kanë kryer veprën penale të korrupsionit zgjedhor. Beleri është dënuar me 2 vite burgim, pasi premtoi 40 mijë lekë për 8 vota, ndërsa Kokaveshi që ia dorëzoi shumën e parave të infiltruarit është dënuar me shërbim prove. Pas ankimimit të të pandehurve, kundër vendimit të gjykatës së posaçme, cështja pritet të shqyrtohet në Apelin e Posaçëm.
(Balkanweb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb