Në Serbi po mbahen zgjedhjet parlamentare dhe ato të pjesshme lokale. Pjesëmarrja e shqiptarëve në votime në Luginën e Preshevës është shumë e ulët.
Gazetarja e ABC News, Linda Karadaku, nga Bujanoci, raportoi se në Preshevë, nga 43,500 votues, kanë votuar deri tani, 700 votues.
Ndërsa në Bujanoc, kanë votuar 3.7% e qytetarëve.
“Pjesëmarrja eshtë shumë e ulët. Situata në pjesën tjetër të këtij shteti është ndryshe. Do të ketë një pjesëmarrje të konsiderueshme të votuesve opozitarë. Nga 43 mijë e 500 votues që ka Presheva, vetëm 700 kanë votuar deri tani. Në Bujanoc, dalja është vetëm 3.7%. Kjo vjen si rezultat i kësaj përçarjeje, kemi bojkot të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Është akuzuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka mbajtur anën e Shaip Kamberit, i cili tani po voton në Bujanoc.
Kanë ndodhur disa ndryshime në Serbi, në ligjin zgjedhor, që favorizojnë pakicat etnike dhe të vjen keq që nuk po shfrytëzohet nga shqiptarët. Është e qartë, kjo lloj përqindjeje që mbetet kaq e vogël, është reagim ndaj kësaj përçarjeje. Me këtë pjesëmarrje të votuesve opozitarë në Serbi, kjo do të thotë që shqiptarët rrezikojnë të mos nxjerrin asnjë deputet. Jemi në një situatë alarmante sa i takon numrit të votuesve shqiptarë që kanë dalë për të votuar. Kryeministri i Kosovës ka marrë qartazi anën e Shaip Kamberit”, raportoi gazetarja Karadaku.