Juristi Dhimitër Zguro në rubrikën “Ccështja e Ditës” të gazetarit Klevin Muka në Neës24 ka komentuar komisionin parlamentar anti-korrupsion, duke e lidhur veprimtarinë e tij me një tentativë për të vënë nën kontroll SPAK.
Zguro nga “Qëndresa Qytetare” tha se mazhoranca ka një dëshirë të kontrollojë SPAK dhe institucionet e tjera të pavarura, duke krijuar mekanizma ekstra-kushtetues, sikundër po ndodh me këtë komisionin që është miratuar me votat e mazhorancës.
Ai tha se nuk përjashtohet mundësia që ky komision të propozojë ndryshime në kompetencat e SPAK apo edhe të institucioneve të tjera të pavarura.
“Përfaqësues të mazhorancës nuk e kanë fshehur asnjëherë dëshirën për të reformuar reformën në drejtësi, për të prekur kompetencat e SPAK apo për të vendosur nën kontroll institucionet e drejtësisë dhe ato të pavarura”, tha Zguro.
Ai kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që të ndjekë penalisht rastet kur Kuvendi nuk zbaton vendimet e kësaj gjykate. “Kuvendi nuk ka zbatuar vendimin e Kushtetueses lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese duhet të ndjekë çështjen në rrugë ligjore, duke kërkuar ndjekje penale për Kryetaren e Kuvendit, e cila në rastin konkret rrezikon deri në 3 vite burg, pasi nga moszbatimi i vendimit të Kushtetueses, ka përfituar një subjekt, që është deputetja Olta Xhaçka”, tha ai.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb