Më në fund pak dritë në fund të tunelit për Armando Brojën.
Sulmuesi i përfaqësueses sonë u çlirua duke shënuar gol me Chelsea në turin e tretë të Kupës së Federatës.
Londinezët fituan 4 me 0 ndaj Preston duke u kualifikuar për më tej në këtë kompeticion dhe Broja ishte protagonist duke luajtur 76 minuta si titullar.
Vendasit mundën t’i shënojnë katër golat në pjesën e dytë.
Ai që zhbllokoi shifrat ishte pikërisht shtatlarti shqiptar.
Pas një krosimi nga e majta në minutën e 58-të, Broja goditi bukur me kokë duke shënuar golin e parë e duke festuar me simbolin tonë kombëtar të shqiponjës.
Vetëm një minutë më vonë talenti kuqezi shkoi afër dygolëshit personal por gjuajtja përfundoi në shtyllë. Broja u zëvendësua në minutën e 76-të kur rezultati ishte 3 me 0 në favor të londinezëve.
Pas ndeshjes, trajneri Poçetino e konsideroi Brojën një sulmues me talent të madh, por që ka nevojë sipas tij të dëfrehet në fushë dhe të rigjejë buzëqeshjen e humbur.
Ai madje mohoi largimin e sulmuesit shqiptar nga Chelsea gjatë merkatos së dimrit./vizionplus.tv