Zhvillimet e ‘kritikat’ për urën e Ibrit, çfarë pritet të ndodhë me dialogun Kosovë- Serbi?

3 weeks ago 6
Reklamë

Në shtator bëhet një vit që nga takimi i fundit i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Një takim Kurti- Vuçiq, as nuk shihet në horizont dhe për këtë ka folur edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Stano duke ripërsëritur qëndrimin e BE-së kundër hapjes së urës së Ibrit, ka folur edhe për dialog.

Ai ka thënë se nuk ka ndonjë datë për takimin e radhës në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

“Qëndrimi i BE-së është shumë i qartë. Nuk kam datë për takim të cilën mund ta njoftoj tani, por qëndrimi i BE-së dhe i të gjithë partnerëve të BE-së është shumë i qartë kur bëhet fjalë për atë se si duhet ta trajtojmë ri-hapjen e urës dhe kjo po diskutohet me Prishtinën dhe partnerët ndërkombëtarë”, ka shtuar Stano ndër të tjera.

Zhvillimet e fundit për urën e Ibrit dhe hapjen apo mos hapjen e saj, kanë risjellë në diskutim dialogun me Serbinë.

Qeveria e Kosovës insiston në hapjen e urës, duke deklaruar se ajo nuk është kundër dikujt dhe ka për qëllim vetëm bashkim, ndërsa ndërkombëtarët insistojnë që për të, të diskutohet në dialog me Serbinë.

Analistët thonë se në këtë fazë që gjendet Kosova nuk ka nevojë për një takim Kurti- Vuçiq, kjo sipas tyre, do të nënkuptohej të diskutohej për hapjen apo mos hapjen e urës.

Bashkëpunimi me ndërkombëtarët?

Image

Visa Xani

Analisti politik, Visar Xani, thotë se edhe nëse do të ketë ndonjë takim, atëherë do të jetë sa për sy e faqe.

“Raund të ri të negociatave serioze nuk mund të ketë para zgjedhjeve në Kosovë, edhe nëse do të ketë ndonjë takim, do të ketë sa për sy e faqe, por jo për rezultate konkrete e të zbatueshme dhe me efekt direkt në procesin e dialogut”, deklaron Xani.

Sipas tij, Serbia, veprimet e ligjshme të Kosovës, por që nuk kanë përkrahjen e ndërkombëtarëve është duke i përdorur në favor të saj.

 “Serbia në vazhdimësi është duke përdorur dialogun, duke e paraqitur veten si viktimë me qëllim që në një farë mënyre të arrijë te ndërkombëtarët ta paraqesin Kosovën si agresion, prandaj politikisht Serbia është duke përdorur veprimet e Kosovës, edhe pse veprimet të ligjshme, legjitime, por meqë nuk e ka përkrahjen e ndërkombëtarëve është duke e përdorur në favor të saj. Prandaj, i mbetet Kosovës që të punojë ngushtë me ndërkombëtarët që t’i arsyetojë veprimet e tyre që i bëjnë në veriun e Kosovës”, shton Xani.

Në qershor të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në Bruksel me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe ndërmjetësuesin, Miroslav Lajçak, por jo edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Kurti ka vendosur tri kushte për angazhim të mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, konfirmoi se sot në Bruksel nuk është mbajtur takim trepalësh, duke theksuar se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë. Ai tha se gjatë takimeve dypalëshe Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

“E para, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”,  kishte deklaruar  Borrell gjatë një konference për media, pas takimit dy palësh.

Të mos ketë takim në këtë fazë

Ndërsa, analisti politik Ali Hertica, thotë se në këtë fazë që gjendet Kosova, nuk duhet të ketë një takim mes Kurtit dhe Vuçiqit.

Image

Ali Hertica

Sipas tij, nëse mbahet takimi i bie të pyetet Serbia për urën.

 “Serbia nga problemet e mëdha që i ka Vuçiqit, domethënë brenda shtetit që gati ka si një kryengritje gjithëpopullore në Serbi, nuk e ka mendjen te dialogu. Mendoj se në këtë fazë që gjendet Kosova, pra në deklarime për dhe kundër hapjes së Urës së Ibrit, nuk duhet të ketë një takim mes Kurtit dhe Vuçiqit, kjo për shkak se nëse do të mbahej një takim i bie të pyetet Serbia a të hapet ura në një qytet të Kosovës”, pohon Hertica.

Tutje, sipas tij, takimet në dialog duhet të jenë shumë të ashpra, kjo për shkak se Serbia dhe Vuçiqi dinë ta luajnë rolin e viktimës.

 “ Këtyre ndërkombëtarëve duhet t’u themi, tregona një shtet në botë që e pyet një shtet a duhet të hapet apo të mbyllet një territor i vendit. Kosova duhet të mbrojë territorin sipas kushtetutës dhe marrëveshjeve të Pakos së Ahtisarit. Takimet në dialog duhet të jenë shumë të ashpra, sepse Serbia dhe Vuçiqi dinë ta luajnë rolin e viktimës, ku edhe faktori ndërkombëtar po e përkëdhel Serbinë, duke mos e respektuar sovranitetin dhe shtrirjen e ligjit në tërë Kosovën”, shton analisti.

Kujtojmë se një marrëveshje e cila është arritur për normalizim të marrëdhënieve më 27 shkurt të vitit 2023 në Bruksel, dhe Aneksi për zbatimin e saj që është arritur më 18 mars, 2023 në Ohër nuk i kanë nënshkrimet e Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kjo për shkak të refuzimit të këtij të fundit.

Read Entire Article