Reshjet e shiut të rëna natën e kaluar nuk kanë ndikuar aq shumë që zjarri në lagjen Kaprre të njësisë Shalë në Dukagjin të shuhet plotësisht. Pavarësisht ndërhyrjes të strukturave të ndryshme dhe vetë banorëve të zonës flakët e zjarrit në Kaprre të Shalës vijojnë që të jenë aktive duke rrezikuar djegien e sipërfaqeve pyjore atje.
Gazetari Senad Nikshiqi raporton për Balkanweb se zjarri në lagjen Kaprre në Theth nisi që në orët e mesditës të 14 gushtit për të vijuar edhe sot pasi kanë kaluar 24 orë. Bashkia Shkodër bëri të ditur një ditë më parë se flakët janë vënë në kontroll dhe se nuk ka rrezik për banesa pranë vendit të përfshirë nga zjarri. Por vatra e zjarrit është riaktivizuar edhe njëherë ditën e sotme duke alarmuar banorët e Thethit të cilët janë organizuar duke ardhur në ndihmë për shuarjen e flakëve edhe pse mbetet e vështirë, kjo edhe për shkak të terrenit të thyer malor dhe rrezikshmërisë që shfaq për ndërhyrjen nga toka.
Bashkë me banorët të angazhuar në këtë operacion janë edhe forcat zjarrëfikëse, punonjës të njësisë Shalë dhe specialistë të Shërbimit Pyjor. Vatra e zjarrit e riaktivizuar është favorizuar nga era atje. Strukturat e emergjencave civile dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile janë në koordinimin për monitorimin e situatës në mënyrë që flakët e zjarrit të mos përfshijnë zonën e banuar. Ndërkohë dëmet mjedisore të shkaktuara nga ky zjarr në Kaprre të Thethit janë të konsiderueshme për shkak të djegies së sipërfaqeve pyjore. Banorët një ditë më parë përveç ndërhyrjes nga toka kërkuan edhe ndërhyrje me avionë apo helikopterë të Forcave të Armatosura nga ajri për shuarjen e plotë të flakëve por deri më tani një gjë e tillë nuk është mundësuar.
(Balkanweb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb