Nga janari në korrik të këtij viti, buxheti alokoi vetëm 24 për qind të planit vjetor të investimeve publike.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, në fund të 7-mujorit, në zërin e investimeve publike u çelën vetëm 32 miliardë lekë, ose 24 për qind e fondit vjetor te planifikuar për këtë zë.
Në krahasim me faktin e 7-mujorit 2023 investimet kapitale kanë shënuar rënie vjetore me 11 për qind. Të dhënat tregojnë se qeveria ka dështuar të realizojë programin e investimeve publike, që është pika më e fortë e realizimit të programit të qeverisë.
Nëse fondet e mbetura të investimeve rreth 102 miliardë lekë ose me shumë se 1 miliardë euro do të alokohen në 5 muajt e mbetur ato rrezikojnë të ndikojnë negativisht në disa tregues të tjera ekonomike.
Banka e Shqipërisë është shprehur më shumë se njëherë se shpërndarja në mënyre jo të harmonizuar e fondit të investimeve përgjatë vitit financiar ndikon negativisht kursin e këmbimit.
Mungesa e fondeve buxhetore në qarkullim është bërë shkak për forcimin e mëtejshëm të lekut, teksa përqendrimi i tyre në muajin dhjetor bëhet shkak për rritjen e inflacionit.
Ish ekspertë të thesarit në Ministrinë e financave pohuan se përqendrimi i fondeve në fund të vitit rrit riskun e shpërdorimit të tyre.
Arsyet për mosrealizimin e programit të investimeve publike po lidhen me ngecjen e procedurave dhe hezitimin e punonjësve të prokurimeve për të firmosur, nisur nga frika e hetimeve të SPAK.
Burime brenda Agjencisë se Prokurimeve Publike pohuan se, ka një krizë për burime njerëzore në sektorin e prokurimeve dhe një frike të jashtëzakonshme për të firmosur dokumentet e tenderëve. Institucionet financiare ndërkombëtare, nga ana tjetër, kanë rritur shqetësimet se menaxhimi i kornizës së investimeve publike përballet me dobësi në të gjitha fazat, që nga klasifikimi i projekteve e deri te zbatimi i tyre.
Edhe ky vit është duke përforcuar precedentin e përdorimit të fondeve të investimeve publike në muajt e fundit të vitit.
Rastet e bujshme që ka zbardhur Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) vërtetojnë se abuzimi me fondet publike në zërin e investimeve ka përmasa kolosale.
Ekzistojnë raste të tilla si inceneratorët ku është abuzuar me një pjesë të madhe të fondit për investimin, teksa kostot e kontratave koncesionare në shëndetësi janë fryrë mbi 50%./Monitor/
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb