Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për shtyp këtë të premte, foli për “21 Janarin”, duke cituar vendimin e Gjykatës së Strasburgut, që evidentoi dy shkelje në këtë çështje: vrasjen dhe më pas moszbardhjen e vrasjes.
Rama: Gjykata e Strasburgut ka nxjerrë një vendim shumë domethënës, shumë kuptimplotë, shumë të qartë lidhur me një krim shtetëror, që prej më shumë se 1 dekade është mbuluar nga pluhuri.
Jam këtu për të risjellë peshën e jashtëzakonshme të këtij vendimi. Krime shtetërore si ai 21 Janarit, historia tregon se vonojnë shumë, por nuk mbeten kurrë pa u zbardhur..
Prokuroria e Tiranës është tallur me përbuzje me Kushtetutën, me ligjin, edhe me dhimbjen e familjarëve të viktimave, por edhe të gjithë shoq për të njohur deri në fund të vërtetën. E ka trajtuar si leckë një provë të re të dalë para disa muajsh. Është kohë që drejtësia e re të reagojë, pasi që kur ky krim ka marrë rrugët e prokurorive e gjykatave, ka ndryshuar struktura e drejtësisë dhe personaliteteve.
Urdhri ka ardhur nga maja, por nga ana tjetër, Gjykata vë gishtin edhe te krimi i pengimit të drejtësisë. Është e qartë në vendim se autoritetet ekzekutive kanë peng në mënyrën më brutale zbardhjen e këtij krimi.
Unë e kam bindje të palëkundur që nuk ka asnjë forcë që mund ta pengojë zbardhjen përfundimtare të krimit shtetëror të 21 janarit, por mund të vazhdojë të vonohet. Për këtë arsye jam këtu, duke i shprehur këto konsiderata, sepse është e rëndësishme për moralin e sistemit të drejtësisë, për moralin e institucioneve të reja të drejtësisë, që të mos vazhdojë kalvari i familjeve të viktimave, të mos rri pezull e gjithë shoqëria për shkak të këtij krimi dhe të mos vazhdojë tërheqja e mos këputja e vonesës së qëllimshme dhe cinike përballë domosdoshmërisë së bërjes deri në fund drejtësisë për 21 janarin.
Përballë krimit shtetëror të 21 Janarit, të gjitha të tjerat kanë rëndësinë e tyre, por janë shumë herë më pak në mundësinë për të vendosur themelin e ri të drejtësisë, që sapo ka nisur të ndërtohet. Nëse 21 Janari mbetet në ajër, edhe themeli i ri i drejtësisë nuk e mban dot të gjithë peshën e jashtëzakonshme të misionit që ka drejtësia në një vend demokratik, ku askush nuk është mbi ligjin, askush nuk mund të marrë jetë.
Top Channel