33-vjetori i Rilindjes Demokratike, Berisha e përkujton nga dritarja: Koha na fton të ngrihemi edhe njëherë

10 months ago 11

Përvjetori i 33-të i Gazetës Rilindja u përkujtua edhe nga Sali Berisha, i cili mbajti një fjalim nga dritarja me mikrofon për mbështetësit e tij që u mblodhën poshtë banesës.

“Duke përfunduar, duhet të them dy fjalë edhe për 33-vjetorin. Duhet të shpreh nderimin tim më të madh, mirënjohjen time më të thellë të pakufishme për ata gazetarë, për ata studentë, por edhe për ata punonjës të Kombinatit Poligrafik, të cilët në një natë vërtet të bardhë, nxorën numrin e parë të Rilindjes Demokratike me datën 6 janar të vitit 1991. Ajo ditë ishte ndoshta si asnjë ditë tjetër. Ai mëngjes i ftohtë ishte ndoshta mëngjesi më i elektrizuar i këtij vendi dhe i këtij kombi. Njerëzit e etur për fjalën e lirë, pritën gjithë natën në katër anët e vendit publikimit të saj.
Është në nderin e atyre që e publikuan, është në nderin e atyre intelektualëve të cilët u rreshtuan në anën e vërtetës dhe e shndërruan Rilindjen Demokratike jo vetëm në një zëdhënëse të PD-së dhe pluralizmit, por në një zëdhënëse të fuqishme të të vërtetave shoqërore, politike, kombëtare të shqiptarëve. E shndërruan Rilindjen Demokratike në një mjet anticensurë të fuqishëm. E shndërruan Rilindjen Demokratike në një avokatë të pamposhtur të interesit kombëtar. Ndaj dhe koha na fton të ngrihemi dhe njëherë, të mos ecim si somnambul. Të mos mashtrojmë vetën. Sot ka vetëm një rrugë: përballja me Edi Rama, përballja me të keqen. Rroftë liria, rroftë fjala e lirë, rrofshi ju, rroftë Shqipëria!” -tha Berisha.

Top Channel

Read Entire Article