PDIU dhe Shoqata Patriotike “Çamëria” kanë kujtuar 80-vjetorin e gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë në homazhin e përvitshëm në Varrezat Monumentale “Trëndafilat e Çamërisë” në Kllogjer në Konispol.
Në këtë vendprehje më shumë se 2900 shqiptarë të Çamërisë kanë humbur jetën pasi u dëbuan me dhunë nga trojet e tyre në Çamëri.
Në këtë 80 vjetor ishin të pranishëm deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ministrja Anila denaj si deputete e zonës, kryetari i bashkisë së Konispolit, Ergest Dule, përfaqësues nga Kosova dhe shumë shqiptarë patriotë nga të gjitha trojet tona amtare.
Në fjalën e tij kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, tha se kujtesa është prelud i drejtësisë.
“Në këtë ditë ne kujtojmë me nderim dhe respekt viktimat e pafajshme të gjenocidit e të përsekutimit; kujtojmë ata që u sakrifikuan për të mbrojtur familjen dhe trojet e tyre. Dhimbja, vuajtjet, ky vend na motivon të bëhemi zëri i atyre që nuk mund të flasim më. Për ata që mendojnë se do të lodhemi apo do të harrojmë, ta mësojnë mirë se nga vuajtjet e padrejtësitë e mëdha të prindërve e gjyshërve tanë buron forca jonë, për të mos rreshtur së kërkuari drejtësi.
Prezenca jonë këtu sot, apo në të gjitha këto aktivitetet që kemi bërë këto 5 muaj, këto varreza monumentale na e bëjmë edhe më të ndjeshme sikur ky gjenocid ka ndordhur 2 vjet më parë dhe jo 80 vjet më parë. Sepse gjenocidi nuk njeh moshë.
Asgjë e mirë nuk mund të lindë nga gjenocidi e nga padrejtësia pa kërkuar falje e pa e kuruar atë. Falja është hyjnore. Dhe kjo është ajo që ne kërkojmë është nga shteti fqinj”, tha z.Idrizi.
Në vijim, kreu i PDIU-së u shpreh se ne nuk fajësojmë grekët sot, popullin grek, e as qeverinë e sotme greke, për atë që ka ndodhur 80 vjet më parë, por jemi të keqardhur për qëndrimet që ato mbajnë ndaj çështjes çame, duke u bërë bartëse e qarqeve të dala kohe për një vend të Bashkimit Europian, me ligj lufte, me varreza, konflikte, me vorio-epiriotë, duke harruar që Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë më ata të viteve ’90 kur dolën nga beteja komuniste e 50 viteve.
“E ndërsa ne presim falje publike e duam të gjejmë një zgjidhje, segmente të shtetit grek, kriminelë si Napolon Zerva i bëjnë heronj e u ngrenë buste, kurse njeriun me tre emra e tre dënime e bëjnë eurodeputet.
Ne me Greqinë duhet të kemi një marrëdhënie të mirë sepse jemi gjitonë, e me gjitonin kemi ndarë bukën, kemi ndarë historinë bashkë. Por Greqia duhet të kuptojë se s’mund të sillet më si shefja e Ballkanit e të mbajë nëpër këmbë me mosnjohje 80 vjet gjenocid e padrejtësi dhe 84 vjet ligje e gjendje lufte.
Por kam një fjalë për çdo bashkëpatriot. Çamëria ka nevojë për çdonjërin prej jush. Çdo shtëpi ka nevojë për djemtë e vet. Çdo njeri ka vlerë në shtëpinë e vet. Bashkë duhet të jemi për këtë. PDIU dhe shoqata është shtëpia jonë. Mund të jeni të pingosur për momentin ndaj secilin e ftoj. Kthehuni në shtëpinë tuaj, sepse vetëm bashkë mund t’i japim dinjitet emrit çam”, tha Idrizi.
Ndërsa kryetari i Shoqatës Patriotike “Çamëria”, Liljan Idrizaj, duke marrë fjalën u shpreh se aktivitetet e këtij viti të 80-vjetorit të përkujtimit të gjenocidit grek mbi popullsinë e pafajshme çame na tregon se komuniteti ynë bashkë me patriotët shqiptarë dhe miqtë e shumtë janë më të vendosur se kurrë në mbrojtje të Çështjes Çame, si një nga kauzat më të rëndësishme të çështjes tonë kombëtare.
“Unë i bëj thirrje sot politikës të zbatojë me kurajo dhe vendosmëri Rezoluten për Çamërinë dhe të mbrojë interesat tona kombëtare”, u shpreh ai.
Kryetarja e grupit parlamentar të PDIU-së deputetja Mesila Doda, theksoi se ne kërkojmë respektimin e atyre që humbën jetën gjatë masakrave.
“Kërkojmë respektimin e të drejtave të njeriut, atyre të drejtave që janë sot në konventat ndërkombëtare. Politika shqiptare të mos trembet. Asgjë nuk mund të ndodhë e asgjë s’do të ndodhë. Sepse ky nuk është muri i harresës, është muri i trëndafilave.
Kemi kërkuar si PDIU që ky memorial të jetë një varrezë historike. Të jetë një memorial historik për atë ato që humbën jetën në gjenocidin që ndodhi 80 vjet më parë”, shtoi ajo.
Për ish-kryenegociatoren e Kosovës, politikanen Edita Tahiri, ndërtimi i varrezave të Kllogjerit është një hap i vogël për kujtesën e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
“Ne jemi fëmijët e patriotëve ndaj nuk duhet të harrojmë gjenocidet ndaj shqiptarëve dhe vetëm të bashkuar ne ju tregojmë të gjithëve vendin ku e kanë”, tha ajo.
Në këtë takim të përkujtimit përshëndetën edhe deputetët e PDIU-së Nustert Avdulla dhe Gëzim Ademaj si edhe anëtarë të PDIU-së dhe Shoqatës Patriotike “Çamëria”.
Nën tingujt e marshit funebër të gjithë pjesmarrësit vendosën trëndafila në memorialin e gurëve, si shenjë kujtimi e humbjes së jetës së të afërmve dhe njërëzve të tyre të dashur, që humbën jetën padrejtësisht 80 vjet më parë për shkak të gjenocidit grek.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb