“90+” vdekjeprurëse për Dritës – si mund t’u kushtojë gjilanasve koha shtesë me humbjen e titullit

5 months ago 6

Drita sot mori vetëm barazim përballë Dukagjinit, në ndeshjen që u mbyll 1-1, për të mbetur paksa prapa në luftë për titull kampioni.

Me këtë barazim, Drita tani ka 57 pikë, katër më pak se lider Ballkani dhe dy më pak se Llapi që është i dyti.

Drita ishte në epërsi në stadiumin “18 Qershori” për më shumë se një orë, pasi shënuan fal mbrojtësit të Dukagjinit, Victor Hugo që qëlloi portën e tij.

Kur pritej që Drita të merrte tri pikë për të vazhduar të jetë ‘hije’ e Ballkanit dhe në një shkallë me Llapin, pranoi gol në minutën e 100-të, ku Granit Elezaj gjeti rrjetën me një gjuajtje nga afër.

Kjo nuk është hera e parë që i ndodh Dritës kjo gjë, dhe këtë e nënvizoi edhe trajneri Zekirija Ramadani.

“Kjo është hera e dytë që na ndodhë. Në Suharekë, Ballkani na barazoi rezultatin në minutat shtesë dhe kjo është hera e dytë. Janë shenja që diçka na mungon”, ka thënë Ramadani pas ndeshjes.

Pra një fitore i iku nga dora edhe para një jave, kur ishte duke fituar ndaj Ballkanit si mysafir me rezultat 2-1, duke pranuar gol në minutën e gjashtë të kohës shtesë.

Nazmi Gripshi gjeti rrjetën për ta mbyllur atë ndeshje në barazim 2-2 dhe për ta lënë Ballkanin lider në renditje.

Nëse Drita do të arrinte të ruante rezultatin në këto dy ndeshje, do të ishte lider me 63 pikë, një më shumë se sa Ballkani, që do të kishte 62 pikë.

Në anën tjetër, Drita në vazhdime u eliminua edhe nga Kupa e Kosovës në gjysmëfinale, duke u mposhtur nga Prishtina me autogolin e Albert Dabiqajt në minutën e 112-të.

Për një javë, një sezon që u duk se u kthye në binar nën drejtimin e Zerkirija Ramadanit, me shumë gjasa do të përfundojë pa trofe për Dritën, siç ka ndodhur në katër vitet e fundit. /Telegrafi/

Read Entire Article