A gjendet Kosova në “udhëkryq”? Flasin analistët - ja çka thonë për raportet e Kurtit me ndërkombëtarët

1 month ago 23

Si jo rrallë herë gjatë mandatit të tij si kryeministër i Republikës së Kosovës, Albin Kurti po kritikohet nga aleatët ndërkombëtarë të Kosovës, me theks të veçantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mos koordinim dhe mos bashkëpunim me ndërkombëtarët për aksionet të cilat po zhvillohen nga institucionet e Kosovës në pjesën veriore të vendit.

Krejt përplasja e fundit e ndërkombëtarëve me Kurtin erdhi si pasojë e paralajmërimit për hapjen e urës së Ibrit, urë kjo e cila është bërë simbol i ndarjes së qytetit të Mitrovicës.

E sipas analistit politik, Faton Mehmeti, pavarësisht zhvillimeve të fundit, Kosova nuk ka arritur ende në pikën ku mund të ketë krisje me aleatët ndërkombëtar.

Akuza e opozitës

“Nuk besoj se Kosova ka arritur deri aty sa të prish raportet me miqtë e saj, aq më tepër të vjen puna deri aty sa të thuhet se, Kosova është në udhëkryq. Kjo më tepër është akuza e opozitës për të manipuluar me opinion publik, diçka reale s’ka në këtë mes”, shprehet Mehmeti.

Image

Faton Mehmeti

Siç thotë ai, Kosova nuk mund të mbijetojë pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çka duhet të ketë edhe kujdes.

“Por, hipotetikisht nëse vjen puna deri aty sa Kosova të jetë në udhëkryq dhe të vihet në pikëpyetje miqësia me SHBA dhe miqtë tjerë, natyrisht se Kosova duhet të jetë e shqetësuar. Pa SHBA, faktikisht Kosova s’mund të mbijetojë, kështu që interesi i saj është të vazhdojë bashkëpunimin, te jetë siguri për aleatët e saj. Por ta riktheksoj se aktualisht Kosova s’ka ngecje në këtë drejtim”, deklaron Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Fajtor Kurti

Por, analisti tjetër Nexhat Haziri e bën fajtor kryesor kryeministrin Albin Kurti, për të cilin thotë se e ka sjellë Kosovën në një situatë jo të favorshme në raport me bashkësinë ndërkombëtare.

Image

Nexhat Haziri

“Pa dyshim se Kosova është në një situatë jo të favorshme sa i përket zhvillimi dhe forcimit e shtetësisë së saj, ndoshta më e rënda në këto afër dy dekada të pavarësimit të saj. Dhe kjo situatë jo e volitshme pasqyrohet në rrafshin politik, diplomatik, ekonomik dhe social çfarë ka vështirësuar jetën edhe për qytetarët tanë dhe e ka bërë të pa mirëqenë sa që shumë qytetarë si zgjedhje të tyre po e shohin çdo ditë e më shumë largimin nga vendi për të kërkuar një jetë më të mirë dhe më me perspektivë për fëmijët e tyre, duke emigruar drejtë vendeve e BE-së. Dhe e gjithë kjo është rezultat i politikave të gabuara të qeverisë aktuale, apo më mirë të themi të një individi, siç është kryeministri Kurti”, thekson Haziri, i cili rikujton se Kosova vazhdon të jetë nën sanksione të Bashkimit Evropian.

“Sot Kosova është vend nën sanksione nga BE-ja, e izoluar, me raporte të tensionuara me aleatët tanë ndërkombëtar, pa ndonjë njohje të re, pa anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare, pa investime nga jashtë, me një polarizim të skajshëm shoqëror, me ngecje në zhvillim ekonomik, shëndetësi, arsim e fusha të tjera dhe nuk po shohim se ka një përgjigje të qeverisë aktuale në raport më këtë situatë në të cilën gjendet Kosova, përpos disa veprimeve në veri ku partia në pushtet po llogaritë në rezultate elektorale, por jo edhe në dëme që po i shkakton vendit siç është humbja e besimit të partnerët ndërkombëtar”, shton analisti Haziri.

“Dhe ky mos besim dhe këto raporte aspak të mira ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, e që janë donatorët dhe përkrahësit e shtetësisë së Kosovës, ndikojnë në këtë situatë të vështirë nëpër të cilën po kalon Kosova”.

Për fund, Haziri thotë se nëse vazhdon kjo qasje e qeverisë, atëherë Kosova do të shkojë drejt një dështimi të plotë pa mbështetjen ndërkombëtare.

“Dhe nëse vazhdon ky model i qeverisjes së Kosovës pa bashkëpunim dhe koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë, jo vetëm në çështjen e veriut të vendit, por edhe në diplomaci dhe fusha të tjera, situata në vend veç sa do të shkojë drejt përkeqësimit duke e bërë Kosovën një shtet të dështuar”, përfundon Nexhat Haziri për “Bota sot”.

Read Entire Article