Atë që Tel Avivi nuk e ka pohuar hapur deri më tani, e deklaroi ambasadorja izraelite në Mbretërinë e Bashkuar.
Izraeli, tha Tzipi Hotovely për Sky News, nuk do ta pranojë zgjidhjen me dy shtete pas përfundimit të luftës në Gaza. E pyetur për mundësinë që palestinezët të kenë shtetin e tyre, Hotovely u përgjigj: “Absolutisht jo”.
Zgjidhja me dy shtete parashikon një Palestinë të pavarur përkrah Izraelit, ç’ka do të krijonte një mënyrë që të dy popujt të bashkëjetojnë paqësisht me njëri-tjetrin. Një politikë e tillë mbështetet edhe nga vetë aleati i ngushtë i Izraelit, SHBA dhe vende të tjera perëndimore.
Por e pyetur se si mund të kishte paqe në rajon pa një zgjidhje të tillë, ambasadorja u përgjigj se “bota duhet ta dijë tani se palestinezët në vërtetë, nuk kanë dashur kurrë të kishin një shtet pranë Izraelit”.
Hotovely përjashtoi po ashtu edhe mundësinë e një armëpushimi në Gaza: “Kjo thjesht do të thotë se ne do t`i hapnim derën një sulmi tjetër si ai i 7 tetorit”, ishte komenti i saj. Izraeli njoftoi se të mërkurën se kishte pësuar humbjet më të mëdha në betejë që prej nisjes së pushtimit të gazës para një muaji, pasi 10 ushtarë iu vranë në një pritë.
Në mesin e të vdekurve ishin edhe koloneli Itzhak Ben Basat, 44 vjeç –oficeri më i lartë që vritet gjatë pushtimit tokësor – dhe koloneli Tomer Grinberg, komandant batalioni. Ushtria izraelite i vazhdoi luftimet e ashpra në veri dhe jug të Gazës, një ditë pasi Kombet e Bashkuara kërkuan armëpushim të menjëhershëm humanitar.
Më herët, presidenti amerikan Joe Biden, u shpreh se Izraeli është duke e humbur mbështetjen globale për shkak të bombardimeve në Gaza dhe i bëri thirrje Netanyahut të ndryshojë qeverinë.
Top Channel