Akuzat e PD, Muçollari: Trafik ndërkombëtar mbeturinash nga Shqipëria, SPAK të hetojë

2 months ago 6

Anëtari i kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari , ka dërguar një kërkesë zyrtare për informacion mbi trafikun ndërkombëtar të mbetjeve toksike.

Në një deklaratë për mediat para kryeministrisë, Muçollari theksoi se, nën qeverisjen e aktuale, Shqipëria është bërë një pikë e përfshirë në trafikimin ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme.

Deklarata e plotë:

Mesa duket, 800 tonë mbetje të rrezikshme, të dyshuara si toksike, që janë zbuluar nga agjenci dhe shtete të huaja dhe që po kthehen me anije aty ku u nisën, në Durrës, janë vetëm maja e ajsbergut të një fenomeni kriminal që ka kohë që ndodh.

Është fjala për 100 konteinerë të ngarkuar më 4 korrik në Portin e Durrësit, të cilët tentuan t’i dërgojnë në Tajlandë. Në media është raportuar edhe për një tjetër rast në prill të këtij viti ku Shqipëria ka dërguar drejt Kinës 115 kontenierë me mbetje toksike të tjera. Ndërkohë, KURUM Sh.A ka përgënjeshtruar Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe deklaron që mbetjet e dyshuara toksike nuk janë të sajat.

Të nderuar qytetarë kemi të bëjmë me një mashtrim të qeverisë për të mbështetur një krim qeveritar.

Media ndërkombëtare, qeveri të ndryshme, Rrjeti i Bazelit, e shumë autoritete kanë reaguar dhe janë alarmuar. Vetëm qeveria jonë hesht dhe nuk bën publik asnjë dokument që mund të ofrojë transparencë në lidhje me këtë aferë të rrezikshme.

Ne jemi të bindur se këto sasi të mëdha, e këto lloj trafiqesh të rrezikshme s’mund të ndodhin pa dijeninë e Kryeministrit.

Kemi dorëzuar sot një kërkesë për informacion pranë Ministrisë së Financave, Drejtorisë së Doganave, Autoritetit Portual, Drejtorisë së Tatimeve, ku kërkojmë të bëhet transparencë mbi këtë ngjarje.

Praktikën e plotë ligjore me dokumentet respektive të ndjekur deri tani lidhur me dy anijet (Maersk Campton me 40 konteinerë dhe Maersk Candor me 60 konteinerë) të ngarkuara me mbetje të dyshuara toksike të nisura drejt Tajlandës, të cilat do të rikthehen në Shqipëri.

Të gjitha këto institucione kanë mundësi t’i nxjerrin këto të dhëna për 2 minuta, nëse duan të ofrojnë transparencë, pasi i disponojnë këto të dhëna në sistem.

Teksa jemi në pritje të përgjigjes zyrtare, dyshimet shtohen se rasti i 800 tonëve ka nxjerrë në pah një fenomen që nuk do të donim të kishte ndodhur.

Që Shqipëria, me këtë kryeministër, me këtë qeveri, me këta ministra e autoritete, është e përfshirë në trafik ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme.

Do të donim të mos ishte e vërtetë. Por faktet dhe rrethanat e deritanishme për fat të keq këtë sugjerojnë.

Jemi cilësuar në këto 11 vite si narkoshtet. Do të ishte e padurueshme të ishim edhe qendër e trafikut të lëndëve të rrezikshme. Shqiptarët nuk e meritojnë këtë, siç nuk meritojnë heshtjen e qeverisë dhe mosveprimin e SPAK para një krimi të tillë monstruoz.

Partia Demokratike do të kërkojë transparencë të plotë në mënyrë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article