Ideja se Rusia duhet të paguajë për dëmet e luftës në Ukrainë ësht artikuluar në një shkrim të botuar në gazetën e njohur Wall Street Journal nga kongresmeni republikan i Arkansasit në SBA J.French Hill dhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.
“Bota duhet të qëndrojë e bashkuar në qëllimin e përbashkët për të ndihmuar Ukrainën përballë agresionit të paligjshëm të Rusisë dhe kërcënimeve gjeopolitike gjithnjë e më të mëdha të Vladimir Putin në të gjithë Evropën. Prandaj ne, si dy legjislatorë nga të dy anët e Atlantikut, kemi bashkuar forcat për të bërë Rusinë të paguajë për rindërtimin afatgjatë të Ukrainës, në përputhje me normat e ligjit ndërkombëtar.
Në nëntor, legjislacioni i Kryetarit të Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve Michael McCaul, Akti REPO për Ukrainën, kaloi komitetin 40-2. Ky akt do të sekuestrojë të gjitha pasuritë sovrane ruse në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht rezervat e bankës qendrore ruse të ngrira në Rezervën Federale. Një përpjekje e njëjtë, e fortë dhe komplementare, po zhvillohet përmes Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Komiteti i Marrëdhënieve Politike i PACE miratoi në mënyrë unanime një memorandum javën e kaluar mbi sekuestrimin e pasurive shtetërore ruse.
Çdo legjislacion kombëtar duhet të përmbushë tri objektiva për të siguruar rezultatin më të mirë të mundshëm për Ukrainën. Së pari, Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë një rol udhëheqës duke punuar ngushtë në bashkëpunim me aleatët. Washington po e bën këtë, duke avancuar legjislacionin që Presidenti Biden duhet të nënshkruajë kur të mbërrijë në tavolinën e tij. Pavarësisht se vetëm rreth 8 miliardë dollarë, nga rreth 280 miliardë dollarët e ngrira, ose të paralizuar në pasuritë sovrane ruse janë në Shtetet e Bashkuara, bashkëpunimi multilateral i plotë është kritik për suksesin.
Së dyti, legjislacioni duhet të maksimizojë avantazhet monetare potenciale për Ukrainën, pa kosto për taksapaguesit. Dy zgjidhje të lehta mund të përmirësojnë legjislacionin amerikan dhe mund të jenë një model për të tjerët. Të gjitha pasuritë sovrane dhe shtetërore, përfshirë ndërmarrjet në pronësi të shtetit, duhet të përcaktohen qartazi dhe duhet të përfshihen në çdo legjislacion përfundimtar, jo vetëm rezervat e bankës qendrore. Gjuha në projektligjin e Dhomës që kufizon sekuestrimin e pasurive ruse: “të denoncueshme në dollar” ose ndërmarrjet “të drejtpërdrejta të drejtuar nga shteti” duhet gjithashtu të fshihen. Aksionarët minoritarë mund të mbrohen në mënyrë të veçantë.
Së treti, legjislacioni duhet të sigurojë një autoritet detyrues për degën ekzekutive për të sekuestruar dhe transferuar titullin dhe interesin e pasurive ruse në përfitim të Ukrainës. Kjo do të shmangte pasiguritë ligjore dhe do të mbështetet nga ligji ndërkombëtar i kundërmasave.
Në maj, Këshilli i Europës themeloi një Regjistër të Dëmeve të shkaktuara nga Agresioni i Federatës Ruse kundër Ukrainës në Hagë, në të cilin SHBA-ja është nënshkruese. Mekanizmi i planifikuar ndërkombëtar i financimit dhe tribunalit të pretendimeve përmendet në të dy projektligjet e pritshme të SHBA dhe në rezolutat e PACE, të cilat priten të miratohen së shpejti.
Duke pasur parasysh urgjencën e ndihmës për Ukrainën, SHBA dhe Evropa duhet të paraqesin një front të bashkuar kundër Rusisë duke vepruar sa më shpejt që të jetë e mundur. Z. Putin duhet të paguajë për agresionin dhe krimet e luftës. Një ligj i fortë për të sekuestruar të gjitha pasuritë sovrane ruse është hapi i parë.
Veprimi i SHBA-së do të dërgonte një sinjal bindës, duke nxitur Perëndimin të forcojë përpjekjen kolektive në mbështetje të luftës së Ukrainës për sovranitetin, territorin dhe demokracinë kundër agresionit rus.
Veprimi kolektiv tani do t’i bëjë më vigjilente edhe vendet e tjera autoritare se ka pasoja financiare të konsiderueshme nën ligjin ndërkombëtar dhe nën legjislacionin kombëtar të ri për veprime të gabuara kundër vendeve sovrane”
Top Channel