Arresti i Berishës: Zbardhet skenari i foltores jashtë dhe brenda sallës nesër në mesditë

10 months ago 27

Mesdita e së hënës pritet ta gjejë opozitën në mosbindje civile përpara Kryesisë së Kuvendit, teksa në një prej ambienteve të kësaj godine, Këshilli i Mandateve do të mblidhet në orën 12:00 për të marrë në shqyrtim kërkesën e SPAK-ut, që kërkon dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-Kryeministrit Sali Berisha.

Vetë Berisha nuk ka marrë ende një vendim nëse nesër do jetë përballë socialistëve dhe prokurorëve të SPAK-ut, apo do të përfaqësohet me avokatët e tij në këtë mbledhje.

Por në të gjitha daljet e tij publike, ish-Kryeministri ka deklaruar se protesta e thirrur nga opozita, edhe pse përkon me të njëjtën orë me mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, nuk ka aspak lidhje me vendimin që pritet të merret për fatin e imunitetit të tij.

Sipas Berishës, opozita do të protestojë të hënën për grushtin e shtetit brenda shtetit që Kryeministri Rama po bën duke marrë kompetencat e parlamentit përmes vendimeve antikushtetuese të SPAK-ut, që ai thotë se prokurorë e gjyqtarë po kërkojnë t’i imponojnë kuvendit në shkelje me ligjin themeltar të shtetit rëndimin e masës ndaj tij në arrest me burg, ose arrest shtëpie.

Pavarësisht vendimarrjes së nesërme të këshillit, ish-Kryeministri është shprehur se do ta njohë vendimin e Parlamentit.

Mbetet për t’u parë nëse ky vendim do merret vetëm me votat e 5 socialistëve apo atyre do t’u bashkohet edhe ajo e përfaqësuesit të lulzim bashës në këtë këshill, Enkelejd Alibeaj.

Ndërkohë në pikëpyetje është prezenca e anëtarëve të tjerë demokratë në këtë mbledhje, të cilët janë pjesë e akisonit të opozitës në kuvend, si Gazment Bardhi, Greta Bardeli, Ervin Salianji dhe Saimir Korreshi.

Për tubimin e thirrur nga demokratët, komisariatet e policisë do të jenë të hënën në gatishmëri dhe për mbarëvajtjen e tij. Drejtoria e Policisë së Tiranës ka hartuar një plan masash me prezencë të shtuar të punonjësve të rendit në perimetrin ku do të mbahet protesta.

Krahas protestës së të hënës opozita ka paralajmëruar edhe një tjetër tubim përpara Parlamentit të enjten, ku me gjasë socialistët do të votojnë në seancë plenare dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-Kryeministrit Berisha.

Paralelisht me këto zhvillime, 28 deputetë të grupit parlamentar të Partisë Deokratike teksa e cilësojnë në shkelje të ligjit themeltar të shtetit dhe një vendim të diktuar politikisht masën e dhënë nga SPAK-u ndaj Sali Berishës, iu drejtuan pak ditë më parë Gjykatës Kushtetuese, duke i kërkuar togave të zeza pezullimin e masave shtrënguese ndaj ish-kryeministrit dhe interpretimin e nenit 73 të Kushtetutës, pika 2 e tij.

Read Entire Article