Arrestimi eventual i Sali Berishës, ambasadori britanik: Të respektojë ligjin! SPAK, progres mbresëlënës

10 months ago 41

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Alastair King-Smith nuk i kurseu vlerësimet për SPAK-un.

Ai beson se puna më e rëndësishme që po bën prokuroria e Posaçme është se po tregon pavarësi në hetimin e politikanëve nga qeveria dhe opozita.

“SPAK-u është një institucion i pavarur. Do të kenë mbështetjen tonë të plotë për të qenë në gjendje ta përmbushin mandatin e tyre. Në fakt jam shumë i kënaqur, kur shoh që tani kemi parë ministra në detyrë dhe ish-ministra dhe njerëz nga opozita në hetim. Kjo tregon se në fakt cilësia e shtetit ligjor në Shqipëri po përmirësohet vërtet. Njerëzit duhet të fillojnë të kuptojnë se askush nuk mund të jetë imun ndaj ndjekjes penale dhe kjo është me të vërtetë e rëndësishme.”- u shpreh ambasadori britanik, duke mos lënë pa përgjigje dhe një pyetje tjetër që implikonte opozitën, e cila është në pritje të një arrestimi eventual të liderit të saj Sali Berisha, pas kërkesës së SPAK-ut për ashpërsimin e masës së sigurisë.

A dobësohet opozita nga ky akt?

Ambasadori nuk komentoi politikisht për përplasjen mes Berishës dhe SPAK-ut apo aktit të pritshëm nga parlamenti, por një mesazh e dha për të gjithë: “U takon institucioneve të zbatojnë rolet e tyre dhe të sigurohen që ato të zbatohen në mënyrën e duhur dhe në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, por sigurisht, nëse ka çështje që duhen trajtuar nga individët, atëherë ata individë duhet të respektojnë ligjin dhe të ndjekin procedurat.”-tha ambasadori britanik për emisionin “Pa censurë” në RTSH.

Pjesë nga intervista e ambasadorit britanik për emisionin “Pa censurë”

Elona Meço: Është i njohur qëndrimi juaj për zotin Berisha, por me kërkesën për arrestim e kreut të opozitës, besoni se do të ketë një dobësim të opozitës në të ardhmen dhe a ju intereson kjo?

Ambasadori britanik King-Smith: Shikoni, u takon institucioneve të zbatojnë rolet e tyre dhe të sigurohen që ato të zbatohen në mënyrën e duhur dhe në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, por sigurisht nëse ka çështje që duhen trajtuar nga individët, atëherë ata individë duhet të respektojnë ligjin dhe të ndjekin procedurat.

Elona Meço: Por kur flasim për ligjin, ka shumë opinione se SPAK po zbaton standarde të dyfishta, ndryshe për qeverinë dhe ndryshe për opozitën. Për qeverinë është më i butë, për opozitën më i ashpër. E keni vënë re këtë?

Ambasadori britanik King-Smith: Ne shohim që progresi që ka bërë Prokuroria e Posaçme SPAK është vërtet mbresëlënës. Dua të them, këtë vit, ju keni parë një sërë individësh, jo vetëm nga mazhoranca në qeveri, por edhe nga opozita, pra në të gjithë spektrin politik. Kështu që ne e shohim në të vërtetë që SPAK-u po luan rolin që ka, ashtu si duhet të veprojë. SPAK-u është një institucion i pavarur. Është me vend që ne të gjithë t’i inkurajojmë ata të përmbushin mandatin e tyre, por gjithashtu t’i mbështesim ata në këtë drejtim. Do të kenë mbështetjen tonë të plotë për të qenë në gjendje ta përmbushin mandatin e tyre. Por në fakt jam shumë i kënaqur kur shoh që tani kemi parë ministra në detyrë dhe ish-ministra, dhe njerëz nga opozita, dhe kjo tregon se në fakt cilësia e shtetit ligjor në Shqipëri po përmirësohet vërtet. Duhet të bëhet më shumë përparim dhe duhet bërë siç thoni ju, në mënyrë që të gjithë t’i nënshtrohen sundimit të ligjit dhe mendoj se ajo që është e rëndësishme është që njerëzit të fillojnë të kuptojnë se askush nuk mund të jetë imun ndaj ndjekjes penale dhe kjo është me të vërtetë e rëndësishme./ RTSH

Read Entire Article