TIRANË, 7 Korrik/ATSH/- Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se Shqipëria ka një rol të rëndësishëm jo vetëm në marrëdhënie me Kosovën, por edhe si një vend anëtar i NATO-s ku luan një rol të rëndësishëm në proceset integruese të të gjithë rajonit.

Në një prononcim për mediat, pas mbledhjes së Këshillit Koordinativ të Qarkut të Fierit, Balla tha se Kosova nuk do të ishte shtet i lirë e i pavarur, pa mbështetjen e SHBA-ve, BE-së, Britanisë së Madhe dhe miqve të tjerë ndërkombëtarë.

“Ne nuk do të ishim këtu ku jemi sot me Kosovën, shtet të lirë e të pavarur pa mbështetjen e SHBA-ve, BE-së, Britanisë së Madhe dhe miqve të tjerë ndërkombëtarë dhe siç e nisëm me ta këtë proces historik të krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës, kështu duhet ta vazhdojmë dhe ta përfundojmë dhe prandaj i gjithë shqetësimi sot edhe i Kryeministrit Rama është, që Kosova sot ndodhet nën një presion ndërkombëtar dhe për fatin tonë të keq, Serbia i cili është vendi që nisi genocidin ndaj popullit të Kosovës, sot e trajtojnë Serbinë si një viktimë që në fakt nuk është e tillë, por janë gabimet e njëpasnjëshme të politikës në Kosovë të cilës sot kanë bërë që viktimën ta bëjë Serbia”,- tha Balla.

Sipas tij, “duhet që ata të komunikojnë më së miri të vërtetat dhe këtu flas edhe për një fakt i cili për ne është i paparanueshëm që drejtuesit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë në Hagë me disa akuza të paqena, por këto janë të gjitha gabime ndër vite. Nga viti 1999 e tutje ne shqiptarët nuk ditëm të administrojmë si duhet fitoren ndërkohë që serbët administruan më së miri humbjen dhe sot ata duken si viktima dhe ne që kemi humbur mijëra jetë njerëzish të pafajshëm duket sikur po krijojmë probleme. Duhet të kuptojmë që gjithë ky presion ndërkombëtar vjen nga ata që na mbështetën në fitoren e pavarësisë dhe në krijimin e shtetit të Kosovës dhe pa mbështetjen e tyre nuk mund të shkojmë dot askund”, tha Balla.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.