Ballkani mohon akuzat e Fushës Kosovës: Tendencë për dëmtimin e reputacionit

5 months ago 10

Ballkani ka reaguar në lidhje me akuzat që Fushë Kosova i ka bërë pas ndeshjes që përfundoi 3-0, e luajtur në kuadër të javës së 34-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Klubi nga Suhareka ka shkruar në faqen e tyre në Facebook se është duke u krijuar një fushatë kundër tyre dhe se ata nuk e kanë sulmuar asnjë person nga ekipi kundërshtar.

Më poshtë mund të lexoni njoftimin e tyre të plotë (pa ndërhyrje):

Vazhdojmë të bëjmë detyrat tona në fushë, duke luftuar ndeshje pas ndeshje, e duke bërë atë që na takon, si klub që i dha shumë futbollit të Kosovës.

Për fat të keq, jemi duke u përballur me një fushatë të pakuptimtë kundër nesh, me tendencë dëmtimin e reputacionit tonë.

Nuk kalojnë akuzat për asnjë sulm në shtëpinë tonë. Ndeshjet fitohen apo humben në fushë, kur aty mbyllet takimi, të tjera vegëza nuk e ndryshojnë asnjë gjë.

Zhvilluam sot një ndeshje të qetë, të thjeshtë dhe me dominim të pritshëm e logjik, ndaj një skuadre tashmë të Ligës së Parë. Shënuam 3 gola dhe krijuam raste edhe për shumë gola tjerë.

Për fat të keq, një rezultat i tillë e mëse normal ndaj Fushë Kosovës, nuk qe i kapërdishëm për dikë, konkretisht zv.trajnerin e tyre, i cili rrugës për zhveshtore, nisi të fyej e ofendojë në drejtim të anëtarëve tanë, e dikush edhe mund të ja ketë kthyer me fjalorin e njejtë. Për këtë posa t’i marrim të gjitha detajet nga akterët, do të sqarohemi me informacione të tjera.

Kemi humbur edhe ne nga kundërshtari i sotëm në ndeshjen e kaluar, por fajin për atë paraqitje e kemi kërkuar brenda nesh, nuk kemi ofenduar oponentët.

Andaj le ta kuptojnë të gjithë njëherë e mirë, përfshirë edhe disa media që po ua zë “rrugën” suksesi ynë, qartësisht klubi i Ballkanit mbetet sinonim i mikëpritjes së mirë për të gjitha skuadrat që vijnë në Suharekë, ashtu siç ka qenë gjithmonë.

Ashtu ishte edhe sot, ndeshje fer e korrekte, përshëndetje mes palëve dhe gjithçka në formën e duhur.

Ne fituam sepse ishim më të mirë në çdo aspekt, andaj duhet pranuar ky fakt! /Telegrafi/

Read Entire Article