I ftuar në emisionin “Log” të gazetarit Endri Xhafo, kreu i demokratëve euroatlantikë, Lulzim Basha ka folur mbi koalicionet e mundëshme për zgjedhjet elektorale të vitit 2025.
I pyetur nga gazetari Xhafo, Basha ka deklaruar se ai është në një fazë të avancuar avancuar të bashkëpunimit me Endri Shabanin, drejtues i “Nisma Thurje”, për të dalë bashkë në zgjedhje.
“Unë nuk kam dëgjuar cfarë ka thënë këtu zoti (Endri) Shabani, por me të dhe aktorë të tjerë ne jemi në një fazë të avancuar të bashkëpunimit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Vendi nuk mund të mbetet në kafazin e zotit Rama”, u shpreh Basha.
Mirëpo kjo deklaratë e Lulzim Bashës ka marrë menjëherë reagimin e dy prej drejtuesëve kryesorë Partisë “Nisma Thurje”, Endri Shabani dhe Pano Soko.
Endri Shabani përmes një statusi në llogarinë e tij të facebook mohon kategorikisht shancet që “Nisma Thurje” të futet në zgjedhje në një koalicion me Lulzim Bashën.
“Ka zero shance që unë apo Nisma Thurje të jemi bashkë me Lulzim Bashën në zgjedhjet e 2025. Pikë”, shkruan Shabani në llogarinë e “Facebook”.
I kontaktuar nga Lexo.al një prej drejtuesëve të këtij subjekti politik, Pano Soko është shprehur se: “Mohoj të kem pasur ndonjëherë përpjekje për të bërë koalicion me Lulzim Bashën. E refuzojmë në mënyrë kategorike bashkëpunimin me çdo forcë politike që kanë në përmbajtje të saj njerëz që kanë dëmtuar këtë vend për 30 vjet.” (Lexo.al)