“Janë më të etura për pushtet sesa për...”, analisti reagon pas “fushatës” së partive politike në diasporë/ Ja çka paralajmëron

1 day ago 40

Lëvizja Vetëvendosje në Norvegji, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Gjermani, kanë vendosur “fokusin” e tyre ditëve të fundit, kjo duke realizuar edhe takime me mërgatën.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për Gjermani, më 8 nëntor ka formuar degën e saj në Berlin, në vazhdën e formimit të degëve gjithandej Gjermanisë.

Kështu ka bërë të ditur kreu i AAK-së për Gjermani, Ukë Blakaj.

“Në kuadër të rritjes dhe fuqizimit të Aleancës në Gjermani, sonte formuam Degën në Berlin. Kryetar i Degës së Aleancës në Berlin u zgjodh Brendon Duraku, nënkryetar Kreshnik Yberhysaj, sekretar Astrit Hamzaj, koordinator Avdi Taflaj, financiar Safet Osmanaj. Kurse, anëtarë të Kryesisë u zgjodhën: Besfort Taflija, Arjanit Shoshi, Beslim Hoxhaj dhe Gazm Muslija”, tha Blakaj.

Blakaj, sipas një njoftimi nga ana e AAK-së, ka kërkuar mobilizim dhe angazhim shtesë të diasporës në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen me 9 shkurt 2025.

Po me këtë datë (8 nëntor), Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar pamje nga takimi me mërgatën në Oslo të Norvegjisë.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se mërgata gjithmonë ka qenë ura që lidh Kosovën me vendet ku ata jetojnë e punojnë.

“Mërgata jonë gjithmonë ka qenë ura që lidh Kosovën me vendet ku ata jetojnë e punojnë. E ne po kujdesemi që të jemi ura që i shton lidhjet e mërgatës me vendit tonë.”, është shprehur Kurti.

Ndërsa, më 11 nëntor ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së Avdullah Hoti, ka qëndruar në Gjermani. Ai ka marrë pjesë në kuvendin zgjedhor të nëndegës së LDK-së në Nurnberg, ku edhe u zgjodh kryesia e re.

Kështu bëri të ditur, kryetarja e degës së LDK-së në Byern, Saranda Musliu e cila pos tjerash ka shtuar se “mërgata po vazhdon të dëshmojë lidhjen e saj të fortë dhe të qëndrueshme me Lidhjen Demokratike të Kosovës, kuvendi e djeshme në Nürnberg e pasqyroi më së miri këtë përkushtim. Kishim kënaqësinë e veçantë të mirëprisnim në mesin tonë ish-kryeministrin, deputetin Avdullah Hoti, i cili ndau me ne mesazhe inkurajimi dhe mbështetje për mërgatën. Takimi me të na afroi më shumë me zhvillimet dhe përpjekjet e vazhdueshme për të ardhmen e Kosovës”.

Ndërsa, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kandidati për kryeministër i kësaj partie, Bedri Hamza kanë falënderuar mërgimtarët në Gjermani për mbështetjen dhe pritjen madhështore në vikend.

Përmes një video-adresimi ata i janë drejtuar mërgatës.

“Mërgimtarë të dashur jemi bashkë me Bedriun këtu që t’ju falënderojmë për pritjen madhështore gjatë kësaj fundjave në Gjermani”, është shprehur Krasniqi.

Hamza i ka cilësuar tubimet në Gjermani si impozante.

“I falënderoj nga zemra, me mbështetjen e tyre Kosova mundet ma mirë. I ftoj dhe i pres që të takohemi në vikendin e ardhshëm bashkë në Zvicër”, ka thënë Hamza.

Angazhimet e partive politike me mërgimtarët po shihen si fushatë, madje në media qarkullojnë zëra kritikues se përqëndrimi i tyre bëhet me mërgimtarët, e jo qytetarët të cilët jetojnë në Kosovë.

Në anën tjetër, analisti politik Ali Hertica, thotë se subjektet politike përmes diasporës kërkojnë të marrin pushtetin.

Sipas tij, partitë janë më të etura për pushtet sesa për mirëqenie sociale të qytetarëve që jetojnë në Kosovë.

“Grupe të ndryshme politike apo interesi kanë ndërmarrë nisma të ndryshme për votimin e diasporës, por duket se asnjëra prej tyre nuk ka përfunduar ende në takimet e subjekteve politike siç është PDK dhe VV, jo vetëm këto dy subjekte politike që janë të etura për ta marrë pushtetin, po të gjitha janë të një kategorie që për mes diasporës, duan të marrin pushtetin ku përveç fushatës on-line, deri më tani kanë bërë shumë marshime në disa qytete evropiane. Disidentët dhe diaspora në vitet e fundit, ku shoqëria jonë është digjitalizuar gjithnjë e më shumë dhe kjo do të thotë se komunikimi me diasporën është gjithnjë e më shumë nëpërmjet kanaleve digjitale dhe informacioni ku partitë politike po ruajnë këtë aset për qëllime të marrjes së pushtetit për mes diasporës, shohim se ky zhvillim është forcuar dhe se aktivitetet e fushatës dhe komunikimet e partive politike, po kryhen gjithnjë e më shumë përmes kanaleve digjitale. Ndërprerja, spiunazhi, sabotimi dhe ndikimi i këtyre kanaleve dhe informacioneve mund të çojë në përçarje serioze të zgjedhjeve”, shprehet Hertica.

Image

Ali Hertica

Sipas tij, partitë politike fokusin duhet ta kenë te qytetarët e Kosovës.

“Diaspora natyrisht që është e rëndësishme për vendin, ata janë pjesë e ndjeshme dhe japin kontribut të madh, sidomos për ekonominë e vendin. Por, unë mendoj se partitë politike fokusin duhet ta kenë në Kosovë, në qytete e fshatra të vendit, duhet të shikojnë realitetin e qytetarëve, vështirësitë e tyre, përballjet e përditshme të tyre, mungesat dhe kërkesat, sepse ashtu mund të ketë zgjedhje e rezultat korrekt. Ato parti politike që kërkojnë vota t’i marrin vetëm përmes mërgimtarëve, nuk do të kenë rezultat të mirë ndër qytetarë të Kosovës”, shton analisti.

Read Entire Article