Batuta e Ramës gjatë konferencës me Blinken: Darkën e kishim gati, por ju zgjodhët ushqimin gjerman…

8 months ago 22
19:20 15/02/2024

Në konferencën me Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken, kryeministri Edi Rama përpos falenderimeve e vlerësimit për vizitën e tij historike, nuk e kurseu një batutë. Kjo e fundit kishte të bënte me mbylljen e takimeve të Sekretarit sot në Shqipëri, të cilat sipas Ramës nuk kulmojnë me një darkë këtu, por në Mynih të Gjermanisë.


“Shumë i nderuar Sekretar i Shtetit, i dashur Tony është gjithnjë një ditë e shënuar me një rëndësi të veçantë në historinë e marrëdhënieve dita kur një Sekretar i Shtetit viziton vendin tonë. Në llogarinë tonë ju jeni i 6-ti, por këtë herë ne e kemi një vlerësim të veçantë për këtë vizitë sepse jemi të vetëdijshëm për kohën e trazuar jo vetëm në Europë, por edhe zona të tjera strategjike dhe rrjedhimisht për ngarkesën e axhendës tuaj dhe fakti që ju gjetët kohë dhe e patë të nevojshme të ndaleni në Tiranë, është për ne një shenjë shumë e rëndësishme e miqësisë po edhe e vlerësimit që ju i bëni kësaj miqësie, këtij partneriteti dhe patjetër rajonit. Natyrisht që nuk mund të mos e ndaj me publikun keqardhjen që mes një darke me ne dhe një darke në Mynih, ku do të niseni menjëherë, ju zgjodhët ushqimin jo aq të shijshëm gjerman, por ne tonën e bëmë. Darkën e kishim gati!”, iu drejtua Rama Blinkenit.

Kujtojmë se Sekretari amerikan i Shtetit mbërriti në orën 11:11 të paradites së kësaj të Enjteje në Shqipëri dhe e mbylli vizitën e tij rreth orës 19:00. Mësohet se ai do të shkojë në Mynih, atje ku më 17 dhe 18 Shkurt do të mbahet Konferenca e Sigurisë. Në fokus të bisedimeve mes shteteve pjesëmarrëse do të jetë lufta në Ukrianë dhe migracioni./tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article