Michel: Gjeorgjisë iu dha statusi i vendit kandidat. Zelensky: Sot u shkrua historia
Një fitore e madhe për Ukrainën, ditën kur diktatori rus Vladimir Putin u zotua të vazhdojë luftën.
Udhëheqësit e Bashkimit Europian vendosën të hapin bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë dhe t’i japin Gjeorgjisë statusin e kandidatit.
“Sot, u shkrua historia,” tha presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky që e përshëndeti menjëherë vendimin e marrë gjatë samitit në Bruksel. “Një fitore” për vendin e tij dhe Europën.
Një zëdhënës i Charles Michel-it, kreut të Këshillit të BE-së, tha se vendimi ishte unanim.
Hungaria që kundërshton prej kohësh nisjen e bisedimeve me Kievin, nuk vuri veton. Megjithatë, kryeministri Viktor Orban postoi një mesazh në Facebook, duke u distancuar nga 26 liderët e tjerë të BE-së: “Anëtarësimi i Ukrainës në BE është një vendim i keq. Hungaria nuk dëshiron të marrë pjesë në këtë vendim, ndaj dhe qëndroi sot larg”.
Ukraina dhe Moldavia aplikuan për t’u bashkuar me BE-në pasi Rusia nisi pushtimin e gjithanshëm të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Të dyja vendeve iu dha statusi i kandidatit qershorin e kaluar, ndërsa Gjeorgjia u kalua vjet.
Bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian mund të zgjasin me vite, kështu që vendimi i së enjtes nuk do të garantojë anëtarësimin e Ukrainës.
Një mënyrë kaq e pazakontë për të miratuar një vendim, veçanërisht një vendim kaq madhor, është e padëgjuar në Bruksel, madje edhe për një vend ku diplomatët kanë qenë prej kohësh shumë krijues për mënyrën e arritjes së marrëveshjeve.
Por ky është një lajm i mirë shumë i nevojshëm për Ukrainën, pas pothuajse 22 muajsh të luftës së Rusisë dhe një beteje të vazhdueshme për të siguruar ndihmën ushtarake dhe financiare perëndimore.
Shumë në Kiev e shohin luftën e tyre kundër pushtimit rus si një mbrojtje të vlerave evropiane dhe duken të vendosur për të ardhmen e tyre si një anëtar aktiv dhe efikas i Bashkimit Europian.
Klan News
Të ngjashme