Blinken: Rama, partner i jashtëzakonshëm i SHBA

8 months ago 32
23:44 15/02/2024

“Kosova, jo kthim pas. Hapim bazën në Kuçovë në Mars”

3 nga 8 orët që zgjati vizita e parë e tij në kryeqytetin shqiptar, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ia kushtoi takimit me Kryeministrin Edi Rama. Mesazhet në konferencën për shtyp që pasoi takimin mes dy delegacioneve dhe atë ‘tête-à-tête’ ishin disa, por ajo që dominoi në fjalimin e shefit të diplomacisë amerikane ishte vlerësimi që SHBA kanë për një nga aleatët e tyre më besnikë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria.

“Nuk mund të filloj tua shpreh sa duhet se sa shumë e çmojmë dhe kjo në fakt është tribunit për ketë vend, për miqësinë që ne kemi, por gjithashtu edhe për kryeministrin i cili është një partner i jashtëzakonshëm i SHBA. Jemi duke bërë gjëra me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin në mënyrë që  të përfitojë si populli shqiptar edhe populli në SHBA, madje edhe përtej dhe si aleat kyç i NATO-s, si një zë i rëndësishëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, tha Blinken.

Përtej kortezisë diplomatike, Blinken nuk nguroi të bëjë një vlerësim për vetë Kryeministrin Rama.

“Partner i jashtëzakonshëm”, tha Sekretari amerikan i Shtetit.

Dha një datë konkrete kur do të jetë funksionale baza ushtarake e NATO-s në Kuçovë.

“Muajin e ardhshëm Shqipëria do të përurojë bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë. Ndërsa kur bëhet fjalë për bazën detare, kjo është diçka që ne e kemi diskutuar dhe do të vazhdojmë ta diskutojmë këtë përmes NATO-s dhe procesit që NATO ka përsa i përket vendosjes së aseteve të tjera të cilat janë të rëndësishme”, u shpreh Blinken.

Pjesë e axhendës së dakortësuar paraprakisht ishte dhe një darkë, ku do të kishte përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë shqiptare, por që u anulua në momentet e fundit për shkak të impenjimeve të Blinken, çka u përcoll me keqardhje nga Kryeministri Rama.

Natyrisht që nuk mund të mos e ndaj me publikun keqardhjen që mes një darke me ne dhe një darke në Mynih, ku do të niseni menjëherë, ju zgjodhët ushqimin jo aq të shijshëm gjerman, por ne tonën e bëmë. Darkën e kishim gati!“, tha Rama.

Vetë Kryeministri vlerësoi mbështetjen amerikane në disa fusha, por veçoi kontributin e dhënë në Reformën në Drejtësi.

Ndërsa Blinken rikonfirmoi mbështetjen që SHBA do të vazhdojnë të japin për sistemin tonë të drejtësisë, krerët kryesorë të së cilit pati mundësi t’i takojë për pak minuta në ambientet e Piramidës.

“Reforma në drejtësi në Shqipëri nuk ka qenë e thjeshtë, por gjithashtu ne që kemi filluar të shikojmë rezultatet, sikurse diskutuam edhe me Kryeministrin. Kam pasur mundësinë të takohem edhe me prokurorë dhe me gjyqtarë të cilët janë duke drejtuar në fakt këto reforma kryesore dhe është e rëndësishme të kuptojmë që anëtarë”, tha Blinken.

Rama dhe Blinken në takim kanë marrë kohë për të folur dhe për Kosovën dhe marrëdhëniet me Serbinë. I pyetur nga Televizionit Klan për vendimet më të fundit të qeverisë së Prishtinës dhe ndikimit që sjellin në këtë marrëdhënie në optikën e SHBA, Blinken thotë prerë se dialogu është i vetmi mekanizëm që duhet përdorur.

“Nuk mund të kemi një ripërsëritje të asaj që ka ngjarë, të asaj që kemi parë dhe të asaj që tejet shumë njerëz kanë përjetuar në vitet 1990-të. Përsa i takon Kosovës dhe Serbisë në mënyrë specifike, dialogu i lehtësuar nga BE-ja është i duhuri dhe madje është shtegu i vetëm i duhur. Dua të përgëzoj dhe rolin e Shqipërisë se ka qenë një forcë për stabilitet rajonal, për integrim rajonal dhe progres rajonal dhe ky është shtegu në fakt”, deklaroi Blinken.

Ndërsa mesazhi i Kryeministrit ishte i përsëritur për qasjen që duhet të ketë qeveria e Kosovës.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm se është në interesin tonë, është në interesin e Kosovës që të përparojë unilateralisht nëse është nevoja në realizimin e të gjitha atyre kërkesave që janë në tryezën e dialogut, të cilat nuk janë kërkesa shtrënguese, nuk janë as kërkesa që Kosova të lëshojë 1 milimetër nga dinjiteti, sovraniteti dhe ardhmëria e vet. Nga veprimet e pa konsultuara dhe të pa koordinuara mbase mund të fitohen disa vota sot për sot, duke e kthyer politikën e jashtme në një instrument të politikës së brendshme, por nuk fitohet e ardhmja”, tha Kryeministri.

Vëmendja e gazetarëve amerikanë që shoqëruan sekretarit Blinken ishte e fokusuar të situata në Gaza dhe kërcënimet ruse. Produkti konkret i kësaj vizite të Sekretarit të 6 amerikan të Shtetit që viziton Tiranën ishte nënshkrimi i dy marrëveshjeve: ajo për Programin e Shkëmbimit Akademik Fulbright dhe Për Kundërshtimin e Manipulimit të Informacionit të Shtetit të Huaj.

Tv Klan


Read Entire Article