Bllokuan kufirin me Kosovën/ Eksperti i sigurisë zbardh prapaskenat e lëvizjes së re të serbëve

1 month ago 29

Dy pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, ajo në Merdare dhe në Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Kurse, pika kufitare në Jarinje vazhdon të jetë e bllokuar për qytetarët me dokumente të Republikës së Kosovës.

Shkak për këtë, është bërë bllokimi i rrugëve pranë tri pikave kufitare me Kosovën në territorin e Serbisë, nga përfaqësues nga disa shoqata serbe.

Bllokimi erdhi si kundërpërgjigjje ndaj mbylljes së pesë institucioneve paralele serbe në veri të vendit nga autoritetet e Kosovës.

Autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se këto pika do të mbeten të mbyllura, për shkak se persona të maskuar në pjesën serbe të kufirit po ndalojnë dhe legjitimojnë udhëtarët.

Sipas ekspertit të çështjeve të sigurisë Arben Dashevci, kjo lëvizje e serbëve është në koordinim me qeverinë atje. Duke folur për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë se strukturat paralele serbe e kanë ndryshuar strategjinë e bllokadave.

“Një bllokadë më parë e paralajmëruar nga serbët e Kosovës, sipas mendimit tim është në koordinim me qeverinë e Serbisë. Pra, e organizuar dhe planifikuar nga strukturat paralele serbe dhe MPB-ja si dhe ushtria serbe, që tash e kanë ndryshuar strategjinë e bllokadave. Më parë i bënin në territorin e Republikës së Kosovës e tash në territorin e Serbisë”, ka theksuar Dashevci.

Image

Arben Dashevci

Ai i ka cilësuar si “jo serioze” dhe “populliste” këto bllokada, duke thënë se Serbia po e dëshmon se do destabilizimin e sigurisë.

“Mendoj që nuk janë serioze, por populliste - Serbia tashmë e ka humbur rrugën dhe ata janë të de organizuar. Prandaj, me këtë Serbia po e dëshmon që nuk është shtet stabil dhe nuk është e interesuar t’i zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel, përkundrazi po e dëshmon që është shtet importues në destabilizimin e sigurisë. Thjeshtë me këto veprime populliste të Vuçiqit jemi të njoftuar qe një kohë”, është shprehur eksperti.

Në anën tjetër, sipas tij, Kosova po dëshmon stabilitetin e saj si shtet.

“Ajo që është me rëndësi për vendin tonë dhe aleatët tanë, është fakti që Kosova po e dëshmon që është shtet stabil, që me veprimet e saj në veriun e vendit po ofron rend dhe siguri, kuptohet me partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka pohuar Arben Dashevci për “Bota sot”.

Ai nuk pret tensionim të situatës në territorin e Kosovës.

“Sipas mendimit tim dhe në aspektin e sigurisë nuk pres tensionim në Republikën e Kosovës.

Ato bllokada janë në territorin e Serbisë dhe janë në dëmin e tyre, janë në kundërshtim me vlerat evropiane, qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave dhe lëvizjes së lirë”, ka shtuar eksperti për gazetën./Botasot

comment

Read Entire Article