Deputeti Enkelejd Alibeaj, i ftuar në studion e News24 ka komentuar situatën e opozitës pasi ditën e sotme njoftoi largimin e tij nga Grupi Parlamentar i PD.
Alibeaj u shpreh se ndarja mes demokratëve nuk ka qenë për vulën dhe logon e PD, por ka qenë parimore lidhur me aspekte si qëndrimi ndaj konceptit non-grata, por edhe ndaj drejtësisë së re.
Sipas tij brenda PD ka pasur gjithnjë dy rryma, një më e moderuar dhe një rrymë antikomuniste që e kishte vuajtur regjimin e mëparshëm.Ai shtoi se mes këtyre
rrymave nuk ka pasur kurrë një raport të mirë, pasi ka pasur ndarje për çështje ideologjike si prona, të përndjekurit politikë, etj.
Sakaq, ai theksoi se në partinë e Sali Berishës ka nevojë “vetëm për shërbëtorë”, gjë që ai u shpreh se nuk e bën dot.
“Ndarja jonë nuk ka qenë për logon apo vulën. Ndarja ka qenë parimore, për moralin politik që përdor karshi konceptit non-grata. Ka qenë për shkak të përgjegjësisë që duhet të mbajnë përfaqësuesit më të lartë politik ndaj fenomeneve si korrupsioni apo krimi i organizuar. Ndarja do jetë mesa duket për qëndrimet tona ndaj drejtësisë së re.
PD siç lindi ka pasur brenda saj dy rryma. Atë të moderuar dhe atë antikomuniste që kishte vuajtur realisht regjimin. Kanë bashkëjetuar në letargji, kanë gjetur mënyrën për të ecur, por nuk kanë pasur kurrë raport të mirë. Çështje si prona, respektimi i të përndjekurve, dhe një sërë çështjesh identitare nuk kanë qenë të qarta. Nuk ishte qartësisht një parti e djathtë. Ishte një aliazh rrymash, individësh e interesash që nuk i qëndron dot kohës. Ajo që ka ndodhur sot është edhe për shkak të kësaj bashkëjetese.
Nuk ka pasur një bosht ideologjik vlerash konservatore për të cilat ti nuk bën kompromis. Unë mbaj përgjegjësi, e kam mbajtur logon e PD në disa pozicione. Për këdo është e udhës të pyetet, po ti? Kushdo duhet të mbajë përgjegjësi. Shpesh pyes veten, në postin e ministrit apo deputetit, një njeri vlerësohet mbi qëndrimet. Deri në 2013 kur ishte ende Berisha kryetar, isha deputet dhe kam pasur që atëherë, ndarja ime me partinë e Berishës ishte që në 2013-ën. Kur PD që ishte në qeveri emëroi në GJK njerëz që gjatë diktaturës ishin gjyqtarë apo prokurorë, bëra ndarjen e madhe. Pyetja që kam për këdo është cili duhet të ishte qëndrimi që dikush duhet të mbante. Është e udhës që një individ në politikë të shohë me qëndrimin e vetë, me veprimtarinë e vetë, e ka nderuar qeverisjen e PD apo ia ka nxirë faqen. Unë besoj se për sa kohë isha ministër i Drejtësisë nuk u përfola kurrë për korrupsion, shkelje ligji apo cenim të interesave të shqiptarëve. Për këtë ndihem mirë me thënë të drejtën.
Me kalimin e kohës, nuk është më partia që unë besoja. Është shndërruar, ka halle të mëdha individuale të një personi. E udhës është që të mbajmë qëndrimin e ndershëm.
Partia e Sali Berishës konsiderohet si oborr, ka vend vetëm për shërbëtorë. Unë nuk mund të jem shërbëtor. Shqiptarët nuk kanë nevojë për shërbëtorë që t’i bëjnë amin mbretit të radhës. Kam respektin maksimal për secilin që mendon ndryshe nga unë, kjo është arsyeja e zgjedhjes sime. Të mos bëj luftën me shpinëmarrje, por e dua luftën ballë për ballë. Pse të mos e lëmë në respektin e vetë dhe distancën e vetë Sali Berishën dhe partinë e vetë, të përballet me qytetarët. Për mua është e shkuar dhe nuk është ofertë”, tha ai.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb