Botuesi Bujar Hudhri, duke folur në emisionin “Open” në News24, për raportet dhe bashkëpunimet që ka pasur me gjeniun e letrave shqipe, Ismail Kadare, ka zbuluar edhe një detaj të pathënë më parë.
“Kur Kadare më ka dhënë librin e parë, unë i kam dhënë një honorar. U emocionua shumë, ishte një shumë e konsiderueshme. Fytyra e Kadaresë mori një ngjyrë të purpurt, kështu i bëhej kur emocionohej shumë. Më pas më foli për shpenzimet që i ishin shtuar etj etj”, rrëfeu Hudhri.
Ai tha se për të demonstruar se kush është njeriu Ismail Kadare kam arritur që për 15 vitesh ta ulja në një kafene (lokal) ku ai takohej me njerëz pafund, bënte fotografi, dhe mendoj se këto ishin ndoshta momentet më të bukura për jetën e Kadaresë në Tiranë.
Duke folur për momentet më të vështira në marrëdhënien 30-vjeçare me Kadarenë, Hudhri tha se “para dy-tre vjetësh, kishte botuar një shkrim për 25 vjetorin e marrëdhënieve me shkrimtarin e madh, dhe isha në siklet. Titulli i shkrimit ishte “Terren i vështirë dhe vazhdimisht binin rrufe”. Ua sa titull i bukur qenka, më tha Kadare, dhe e lexoi të gjithë shkrimin”.
Hudhri tha se me Kadarenë kishte debate, përplasje, por që ndjehej rehat në atë gjallërinë e tij. Ai e konsideroi Kadarenë një gjeni, por gjithmonë pyeste “e, si tu duk. Ndoshta edhe për të provuar se si do të ishte reagimi”.
“Kadare punonte 90 minuta në ditë, aq ka punuar gjithë jetën”, tha Hudhri.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb