SPAK çon për gjykim ish-Oficeren e Policisë Gjyqësore Anila Dushku.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet paraprake të procedimit penal nr. 180 të vitit 2024 dhe paraqiti para Gjykatës kërkesën për dërgimin për gjykim në ngarkim të të pandehurës:
Anila Dushku e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i K.Penal.
Procedimi penal u nis nga Prokuroria e Posaçme, bazuar mbi pamjet filmike të transmetuara në emisionin investigativ “Fiks Fare” në televizionin Top Channel, të cilat tregonin rastin korruptiv të oficeres së Policisë Gjyqësore, Anila Dushku, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
Në analizë të provave të grumbulluara gjatë hetimit paraprak rezultoi e provuar se e pandehura Anila Dushku ka kryer veprime aktive të kundërligjshme, të cilat konsistojnë në kërkimin dhe marrjen e përfitimit të paligjshëm (prej 1 000 eurosh) nga shtetasja H.Ll. kundrejt premtimit për të mbyllur çështjen në ngarkim të djalit të saj, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a të Kodit Penal. Pasi u njoh me kërkesën e të pandehurës, shtetësja H.Ll i është drejtuar emisionit “Fiks Fare” për ta bërë publik rastin.
Nga të dhënat konkrete të grumbulluara gjatë hetimit paraprak për këtë procedim penal, ekziston dyshimi i arsyeshëm bazuar në prova, se ka qenë e pandehura A.D. me detyrë Oficere e Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka pasur një rol aktiv të kundërligjshëm në bisedat me shtetasen H.Ll, duke i udhëzuar vendin dhe datën e takimit si dhe dorëzimin e shumës së parave [mitës].
NGJARJA
Oficerja Anila Dushku, i mori ryshfet 1 mijë euro 68-vjeçares Hava Lloga, e cila para disa vitesh u procedua dhe u dënua për ndërtim pa leje, për shkak se ndërtoi një banesë për vete dhe djalin në fshatin Qendër Librazhd me premtimin se do i mbyllte çështjen.
“Erdhi policia dhe mbushi letrat. Më thirri një oficere që quhet Anila, është oficere në Prokurorinë e Elbasanit. Ajo e ndoqi të gjithë procedurën. Tani më thotë dua 1 milionë lekë që të mbyll çështjen e djalit. Më tha e do djalin, e dua i thashë. Po e deshe më tha, që ta mbyll çështjen, më jep 1 mijë euro. E kam takuar dje te zyra në Prokurorinë e Elbasanit. Tani unë nuk e di se për ça e mbyll, letrat e tokës i kam unë dhe çuni s’ka asnjë letër, s’ka asnjë pëllëmbë tokë”, pohoi 68-vjeçarja.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb