Vendet anëtare të Bashkimit Evropian arritën një marrëveshje për heqjen e kontrolleve të kufirit të brendshëm ajror dhe detar me Bullgarinë dhe Rumaninë. Vendimi u mor unanimisht.
Fernando Grande-Marlaska Gomez, ministri i brendshëm i Spanjës, tha se ishte shumë i kënaqur që në vitin 2024 kontrollet e brendshme ajrore dhe detare midis Bullgarisë dhe Rumanisë dhe vendeve të tjera të Shengenit do të bëheshin një gjë e së kaluarës pas 12 vitesh negociatash.
“Kështu, ne vazhdojmë të ndërtojmë një zonë gjithnjë e më të gjerë dhe më të fortë të lëvizjes së lirë”, tha ai.
Nga data 31 mars 2024, nuk do të ketë më kontrolle të personave në kufijtë e brendshëm ajror dhe detar të BE-së midis Bullgarisë dhe Rumanisë dhe vendeve të tjera në zonën Shengen.
Pas këtij hapi të parë, Këshilli duhet të marrë një vendim të mëtejshëm për caktimin e një date për heqjen e kontrolleve të kufirit të brendshëm tokësor.
Që nga pranimi i tyre në Bashkimin Evropian, Bullgaria dhe Rumania kanë zbatuar pjesë të kuadrit ligjor të Shengenit, duke përfshirë ato që lidhen me kontrollin e kufirit të jashtëm, bashkëpunimin policor dhe përdorimin e Sistemit të Informacionit Shengen.
Për pjesët e mbetura të rregullave të Shengenit, të cilat përfshijnë heqjen e kontrolleve të kufirit të brendshëm dhe masat përkatëse, Këshilli vendos njëzëri për zbatimin e tyre pasi konfirmon se ato plotësojnë kushtet e nevojshme në përputhje me procedurat e vlefshme të vlerësimit të Shengenit. /Telegrafi/