“Butrinti”/ “Mund të përfshihet në Listën e Pasurive të Trashëgimisë Botërore në rrezik”, Ina Zhupa: Qeveria të tërhiqet nga dhënia me koncension

4 months ago 6

Deputetja Ina Zhupa, në një deklaratë për mediat ku foli në lidhje me Butrintin, u shpreh se kjo zonë mund të përfshihet në listën e Pasurive të Trashëgimisë Botërore në rrezik.

Zhupa shtoi se rruga e vetme për Butrintin do të ishte heqja dorë menjëherë dhe pa asnjë ekuivok nga qasja fragmentarizuese dhe tjetërsuese e nga modelet koncesionare.

DEKLARATA:
Këto ditë ka pasur deklarata dhe zhvillime në lidhje me UNESCO-n , ku Ministri Gonxhe do deklaronte nga Parisi se ‘jemi në sintoni të plotë’ me UNESCO-n.
‘Nuk mbulohet dielli me shosh’, nuk mund të fshihet një e vërtetë që duket sheshit. E si mund të ketë ‘sintoni të plotë me UNESCO-n’ kur shpërfillen në mënyrë flagrante rekomandimet e saj?
Në Riad, Komiteti i Trashëgimisë Botërore shprehu ‘shqetësimin e vet më të thellë’ për Parkun Ujor Drilon-Tushemisht dhe kërkoi madje edhe ndalimin e punimeve atje. Mirëpo qeveria dhe AADF i shpërfillin rekomandimet e UNESCO-s, duke cenuar në mënyrë të pakthyeshme Vlerat e Jashtëzakonshme Universale të pjesës shqiptare të Liqenit të Ohrit, të mbrojtur nga UNESCO. Si rezultat i këtyre veprimeve të papërgjegjshme, ishte vetë Komiteti i Trashëgimisë Botërore që u shpreh se Liqeni i Ohrit madje ‘mund të inskriptohej në Listën e pasurive të Trashëgimisë Botërore në Rrezik’.
Fatkeqësisht e njëjta situatë mund të përsëritet edhe në Butrint.
Fakti që Butrinti rrezikon të përfshihet në Listën e Pasurive të Trashëgimsë Botërore nuk është as sajim, dhe as ‘shpresë’ e ndokujt, sikurse aludoi ministri Gonxhja. Ndërsa ne kemi bërë dhe bëjmë gjithcka që ju të zbatoni Konventën e Parisit.
Përkundrazi ‘kthimin e Butrintit në të kaluarën e vet të errët të Listës së Pasurive Botërore në rrezik’, për të cituar vetë z. Gonxhja, e kanë parashikuar ata arkitektët e modelit të pashembullt hibrid që po u imponohet shqiptarëve në Butrint.
Kjo gjë del mëse qartë në vetë Planin e Biznesit, pjesë integrale e Planit të Menaxhimit të Integruar, të koncensionit, ligji 50/2022.
Konkretisht në paragrafin 3.5 të tij (f. 117), pranohet shprehimisht se ‘thelbi’ i qasjes në Butrint ‘duhet të qëndrojë tek fitimi ekonomik’. Pra, pranohet ajo që PD-ja e ka thënë e stërthënë: kthimi i Butrintit në mall tregtar, dhe kalimi në plan të dytë i kërkesave dhe rekomandimeve të UNESCO-s për mbrojtjen, ruajtjen dhe konservimin e tij.
Së dyti, Plani i Biznesit referon ‘punime të tjera’ në Butrint – ku citoj shprehimisht – ‘në rast se Zona A3 do të mbajë Statusin e Jashtëzakonshëm Universal të UNESCO-s gjatë periudhës tranzitore dhe pas tij…’. [f. 119].
Pra, ata që pranojnë me gojën e tyre cenimin e mundshëm të Vlerave të Jashtëzakonshme Universale të Butrintit janë vetë arkitektët e tjetërsimit të Butrintit, autorët dhe sponsorët e Planit të Menaxhimit të Integruar.
Z. Gonxhja duhet ta ketë parë vetë Projekt Vendimin për Butrintin, që pritet të miratohet në korrik në Neë Dehli.
Në pikën 8 Projekt Vendimi godet në thelb modelin hibrid të menaxhimit indirekt të AADF-së, të cilin 5 gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese nuk patën guximin profesional ta deklaronin antikushtetues. Pika 8 ‘thekson se me qëllim që të arrihet menaxhim efektiv dhe llogaridhënie’ Butrinti ‘dhe zona buferike duhet të menaxhohen në mënyrë të koordinuar dhe si një e tërë (as a ëhole)’. Pra jo në mënyrë të fragmentarizuar dhe si ‘shtet brenda shtetit’, siç parashikon modeli i tanishëm.
Kurse në pikën 10 të projekt Vendimit – ku flitet për Qendrën e Vizitorëve – UNESCO-ja i kërkon qeverisë shqiptare ‘të zbatojë tërësisht’ rekomandimet e ICOMOS-it, përfshirë kryerjen e një Vlerësimi të Impaktit në Trashëgimi të plotë, që duhet të vlerësojë impaktin e Qendrës së Vizitorëve ndaj Vlerave të Jashtëzakonshme Universale të Butrintit, bazuar në hulumtime arkeologjike të larmishme dhe të thelluara, përfshirë dimensonin peizazhistik, si dhe të lejojë më shumë kohë për përfundimin e vlerësimit.
Por ku qenka kjo ‘sintonia e plotë’ e qeverisë me këto kërkesa konkrete, që në fakt përbëjnë kritikë të rreptë edhe ndaj AADF-së?
Duke i injoruar ato- je në sintoni me UNESCO sipas ministrit.
Në vend që të reflektojnë, dhe të zbatojnë kërkesat e qarta dhe të detajuara të UNESCO-s, këta duan t’i anashkalojnë ato me metoda që të kujtojnë revolucionet kulturore apo tribunalet popullore të periudhës komuniste, ku pas faktit të kryer do bëjnë medemek dëgjesa për Qëndren e Vizitorëve, ku i pari dhe i vetmi që duhet pyetur është pikërisht UNESCO.
Prandaj rruga e vetme para qeverisë për Butrintin do të ishte heqja dorë menjëherë dhe pa asnjë ekuivok nga qasja fragmentarizuese dhe tjetërsuese e ideuar nga Riçard Hoxhesi dhe mbështur qorrazi nga AADF-ja; heqja dorë nga modelet koncesionare ‘jap gishtin të të rrëmbej dorën’.
Tërheqja e qeverisë sa më parë nga koncesioni i Butrintit kaluar me Ligjin 50/2022, risjellja e ligjit në Komisonin përgjegjës, si dhe në seancë plenare në Kuvend, ku t’i nënshtrohet një shqyrtimi përmes një debati gjithëpërfshirës dhe konsensual, për ta sjellë Butrintin në pajtueshmëri të plotë me Konventat e UNESCO-s dhe të Ramsarit.
Kjo është e vetmja rrugë që duhet të ndjekë z. Gonxhja nëse vërtet synon të jetë në sintoni të plotë me UNESCO-n dhe në pajtueshmërinë me rekomandimet e saj. Rrugë të mesme s’ka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article