Sipas Daniel Serwer, specialist në fushën e menaxhimit të konfliktit dhe vëzhgues i zhvillimeve politike në Ballkanit Perëndimor, nuk është veç Kosova me të cilin merret vazhdimisht Aleksandër Vuçiq, pasi presidenti serb bën ndërhyrje më të ashpra edhe në Mal të Zi e Bosnje e Hercegovinë.
“Ndërhyrja në Mal të Zi është e dukshme. Ndërhyrja në Bosnje dhe Hercegovinë është disi më pak e dukshme, por kjo ndodh sepse Milorad Dodik më së shumti bën atë që dëshiron Vuçiq. Ai aspiron një “botë serbe”, që do të thotë se Beogradi de facto kontrollon popullsinë serbe në vendet fqinje. Ai po bën shumë progres në këtë drejtim”, thotë Serwer.
E të njëjtin mendim më Serwer, e ndaj edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.
Prof. Dr. Enver Bytyçi
“Tri vatra konflikti ka nën kontroll Beogradi. Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën. Aleksandër Vuçiq i kërcënon të tri këto shtete me (mos) ekzistencën e tyre. Fatkeqësisht i ka ardhur në ndihmë Rusia me agresionin e saj në Ukrainë. Ashtu si Rusia, edhe Serbia, ashtu si Vladimir Putin, edhe Aleksandër Vuçiq e kërcënon Bashkimin Evropian dhe Evropën në tërësi. Dhe kam përshtypjen se Bashkimi Evropian ka më shumë frikë nga Vuçiq sesa nga Putin. Ndaj dhe po sillet ndaj Beogradit si dele. Vuçiq dhe Serbia sulmojnë territorin e Kosovës e vrasin policët e saj, sanksionet ia vendosin Kosovës. Kisha serbe e shkaktoi krizën në Mal të Zi, Evropa dhe SHBA-të e përkrahën këtë akt ndërhyrjeje në Podgoricë. Atë që nuk mundën ta bëjnë terroristët rusë e serbë kundër Milo Gjukanoviçit në verën e vitit 2015, e bëri politika e Beogradit me mbështetjen e Brukselit dhe Uashingtonit”, thotë Bytyçi.
Sipas tij, Bosnjë-Hercegovina është punë e mbaruar për Serbinë.
“Askush nuk mund ta detyrojë atë dhe Dodik-un që të pajtohet me vendimet pro euro-atlantike të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës, as me integrimin euro-atlantik. Dhe kjo gjen mbështetjen e Beogradit e të Moskës. Moska bëri që Gjeorgjia e sulmuar prej Rusisë në vitin 2008 të votojë një qeveri pro-ruse. Moska ndërhyri në Moldavi dhe ka prishur ekuilibrat e mbështetjes së popullsisë moldave për BE-në dhe NATO-n. Dhe në kryeqytetet evropiane presin me naivitet që Serbia të bëhet aleat i NATO-s dhe BE-së. Kurrë nuk ka për të ndodhur”, shprehet Bytyçi.
Ai thotë se tani ka ardhur një kohë, kur perëndimorët nuk janë më të aftë të kërcënojnë jo më Rusinë, por as Serbinë.
“Kanë frikë nga lufta. Sapo t’ua përmendësh fjalën luftë, ata tmerrohen. Janë gati ta ringjallin Stalinin, Hitlerin dhe Enver Hoxhën të vijnë në pushtet në vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm e vetëm të mos ketë luftë. Kështu u dorëzuan edhe në marsin e vitit 1938 në Konferencën e Mynihut me lëshimet ndaj Hitlerit dhe fill pas kësaj konference Hitleri pushtoi Çekosllavakinë. Historia është mësimi më i madh i popujve dhe ajo është shumë më e hidhur kur përsëritet”, thekson Bytyçi.
“Tani çfarë ndodh? Vuçiq sulmon me grupe terroriste Kosovën dhe Evropa sanksionon viktimën. Beogradi si institucion shtetëror, kishtar dhe akademik mbështet fuqishëm forcat separatiste në Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi dhe në Kosovë, ndërsa Evropa ia shtron rrugën këtyre synimeve, duke kërkuar dhe bërë presion për krijimin e Asociacionit në Kosovë. Ose duke e njohur qeverinë pro-serbe e pro-ruse në Mal të Zi. Ose duke bërë sikur e dënon Milorad Dodik. Askush nuk është i qetë në këto kushte”, shpjegon profesor Bytyçi.
Më tej, ai shton se rritja e hegjemonisë serbe, si gjithmonë, do të shkaktojë luftëra të reja në rajon.
“Serbia dhe Vuçiq nuk kontrollojnë vetëm serbët në të tri shtetet që përmenden. Ata kontrollojnë kishën, kontrollojnë liderët politikë serbë e pro-serbë. Ata kanë blerë plot shërbëtorë në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, BH dhe Maqedoninë e Veriut. Serbia dhe Vuçiq imponojnë iniciativat e tyre pro serbe në Ballkanin Perëndimor. Ata janë bërë hegjemonë si dikur në rajon. Dhe rritja e hegjemonisë serbe, si gjithmonë, do të shkaktojë luftëra të reja. Popujt e Ballkanit Perëndimor do ta ndjejnë një ditë rrezikun serb ashtu siç e ndjenë në kohën e Milosheviçit dhe kësaj radhe reagimi i tyre nuk do të jetë nga pozitat e një republike federative, por nga pozitat e republikave të pavarura. Sërishmi serbët do të bashkohen. Njësoj siç u bashkuan në luftërat e dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të kaluar. Por kësaj radhe nën drejtimin e strukturave dhe institucioneve të shteteve që ata kanë krijuar”, deklaron Bytyçi.
Sipas tij, Evropa nuk do të përfshihet më në rast të një konflikti të ri në Ballkan.
“Në këtë përballje më të rrezikuarit janë shqiptarët dhe myslimanët. Shqiptarët kësaj radhe nuk besoj se do të reagojnë të përçarë. Ata do të bashkohen të gjithë, pa përjashtim. Formacionet ushtarake të shqiptarëve do të jenë të plota, dhe të gatshme në pikën e rrezikut, pavarësisht ku do të jetë ajo. Nuk ka shans që Evropa të përfshihet në konflikt dhe shqiptarët kësaj radhe të bëjnë sehir. Sigurisht që shqiptarëve u duhet që të heqin dorë nga mbështetja për politikanë tradhtarë të kombit e sharlatanë. Duhet t’i izolojnë ata analistë që vjellin vrerë kundër Kosovës dhe përçojnë në mediet tona idetë dhe interesat e Serbisë. Duhet të kujtojmë kohën e viteve 1988-1998, kur Kosova ishte e homogjenizuar nën lidershipin e Ibrahim Rugovës dhe kur spiunët e Serbisë e bashkëpunëtorët e saj nuk guxonin jo më të dilnin në ekrane televizive, por as në rrugët e Prishtinës”.
Për fund, Bytyçi thekson se është koha e bashkimit dhe jo e përçarjes së shqiptarëve.
“Përçarjen e ka fut ndër ne Serbia dhe ajo do të paguajë pa fund për ta mbajtur gjallë frymën e përçarjes. Dhe fatkeqësisht përçarësit flasin e mbajnë fjalime me akuza kundër patriotëve, duke i quajtur ata si përçarës. Kemi mbërritur në pikën, kur hajduti thërret „kapeni hajdutin“, tradhtari kërkon „të kapet tradhtari“ dhe përçarësi të akuzojë të tjerët për përçarje. Kjo situatë duhet të marrë fund. Sa më shpejt, aq më mire. Ndërkaq është koha e sovranitetit të kombeve. Evropa ka frikë se cenohet pikërisht sovraniteti I tyre përmes ndonjë agresioni ushtarak kundër saj. Që do të thotë se për Evropën sovraniteti është i shenjtë. Por nuk e shohin sit ë shenjtë, mesa duket, sovranitetin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Prandaj dhe Serbia është e gatshme t’i kafshojë vendet fqinjë të saj”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.