Analisti Mentor Kikia në rubrikën “Çështja e Ditës” të gazetarit Klevin Muka në News24, duke komentuar përplasjen e dhunshme në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, tha se këshilltarët duhet të diskutojnë për problemet e qytetit dhe jo për politikën e madhe.
“Në Shqipëri këshillat bashkiakë janë kopje të shëmtuara të Parlamentit dhe debatet, konfliktet, përplasjet që ndodhin në Parlament, transferohen edhe në Këshillat Bashkiakë.
Ne kemi parë se si opozitat në këshillat bashkiakë, pavarësisht se kush ka qenë, kanë bllokuar buxhetet, fondet për shtresat në nevojë, çka tregon se janë shumë të politizuara.
Edhe konflikti apo përplasje e djeshme është një reminishencë e atyre konflikteve që zhvillohen mes liderëve përkatës politikë apo grupeve politike.
Nuk është asnjë gjë e mirë për tu mburrur nga situata të tilla. Njëri nga ata që u përfshi në konflikt, Halit Valteri ka ndërruar nja 5 parti derisa zuri një vend në Këshillin Bashkiak, ndërsa Tedi Blushi u katapultua nga Ilir Meta, pasi ishte këshilltar i tij në Presidencë”, tha Kikia.
Ai tha se Bashkia e Tiranës është në epiqendër të një lufte të madhe politike për shkak të inceneratorit, por edhe asaj që njihet si “5D”, janë organizuar protesta ku i kërkohet Erion Veliajt të japë dorëheqjen si kryebashkiak.
“Kjo fryma e protestave duket se është futur në këshillin bashkiak, pra ajo dhuna që kemi parë shpeshherë në protestat e opozitës, janë zhvendosur në Këshillin Bashkiak. Por dhuna është më e padobishmja, pasi nuk mendoj se ka njerëz seriozë, që mund të thonë: të luftë dora sa mirë ja bëre.
Do të ishte e udhës, që pavarësisht ndasive apo përplasjeve politike, kjo luftë politike të shërbente për të zgjidhur problemet e qytetarëve, dhe jo si një tifozllëk politik”, tha Kikia.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb