Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, ka udhëtuar në Brazil për të zhvilluar një takim me autoritete dhe prokurorë të policisë braziliane.
Gjatë vizitës, Dumani ka qenë i shoqëruar nga Arben Kraja, Adnan Xholi dhe Vladimir Mara, dhe ka diskutuar me homologët e tij brazilianë mbi aktivitetet e grupeve kriminale shqiptare që operojnë në Amerikën e Jugut.
Një nga pikat kryesore të diskutimit ka qenë lufta kundër bandave shqiptare, të cilat kanë krijuar rrjete të gjerë të trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut në drejtim të Europës. Ambasada amerikane ka njoftuar për këtë vizitë të kryeprokurorit Dumani.
“Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani kryesoi një delegacion që udhëtoi në Brazilia dhe Sao Paulo, Brazil për të forcuar bashkëpunimin me partnerë të rëndësishëm të fushës së zbatimit të ligjit në çmontimin e rrjeteve ndërkombëtare të krimit të organizuar. Z. Dumani dhe kolegët e tij u angazhuan me zyrtarë dhe prokurorë të policisë braziliane të nivelit më të lartë dhe shkëmbyen informacion për fuqinë dhe rolin e jashtëzakonshëm që grupet e krimit të organizuar shqiptar kanë në transportimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në Europë. Zyra Tejoqeanike për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë (OPDAT) mundësoi vizitën, e cila u financua nga Byroja Ndërkombëtare për Narkotikët dhe Çështjet e Zbatimit të Ligjit (INL) e Departamentit të Shtetit të SHBA. Z. Dumani iu bashkuan katër prokurorë të tjerë të SPAK-ut, këshilltari ligjor i SPAK-ut, një hetues i BKH-së, si dhe këshilltari ligjor amerikan dhe një agjent i FBI-së të vendosur pranë SPAK-ut”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA në Shqipëri.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb