Në rubrikën “Çështja e Ditës” të gazetarit Klevin Muka në News24, Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ, ka komentuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që janë dakordësuar mes PD dhe PS.
Kume tha se lidhur me mënyrën se si do të hapen listat askush nuk duhet të habitet. Ndërsa shpjegoi historikun e propozimeve lidhur me kërkesat për hapjen e listave, Kume tha se PD ka propozuar që listat të hapeshin jo më pak se 2/3.
“Me atë që kishim, kur herësi ishte 10 mijë vota, dhe në zgjedhjet e 2021 patëm vetëm 3 deputetë që thyen këtë herës, mendoj se zgjidhja e propozuar është më e mirë.
Nëse kjo formulë do të aplikohej në 2021, do të kishim 48 deputetë që do të kishin hyrë në Kuvend në atë kohë bazuar te votat preferenciale.
Edi Rama ka qenë kundër hapjes së listave 100% dhe nëse ai nuk e mbështeste këtë hapje, nuk mund të arrihej. Por askush nuk e do hapjen e listave 100%, unë kam parë edhe propozimet e partive, asnjë nuk e do, pavarësisht se si shprehen”, tha Kume.
Ai tha se e vetmja pjesë që nuk preket nga vota “parapëlqyese” është ajo renditja e 1/3 të vendeve, që nuk preken. Në këtë kuadër, Kume sqaroi se nëse në një qark fitohen 4 mandate, dhe 3 të parët hyjnë nga lista që përbën 1/3, mandati i 4-rt e merr ai që merr më shumë vota qytetare.
“Çdo lloj sistemi që të kemi është subjekti politik që i cakton kandidatët, s’ka lidhje fare qytetari. Kush janë kandidatët i cakton subjekti, ndërsa qytetari i jep votat atij që i duket më i mirë. Nuk janë qytetarët që përcaktojnë kush do të jetë në listën e kandidatëve, janë subjektet politike. Është një rregullim që duhej bërë”, tha Kume.
Ai tha se lidershipi i partisë e ka ruajtur se kush do të jenë deputetët, ata vendosen në krye të listës dhe e kanë të sigurtë.
Lidhur me votën e disaporës, Kume tha se ndryshimet për të cilat janë dakordësuar palët politike, ka ndryshuar diçka shumë e rëndësishme, që nuk kemi më ato kushtin që kishte të bënte me adresën e gjendjes civile.
“Besoj se heqja e këtij kushti mund të shtojë numrin e votuesve të diasporës që të marrin pjesë në votim. Në kushte të tilla mjafton vullneti i qytetarit për të votuar, të thotë një adresë ku banon, thjesht për të realizuar korrespodencën”, tha Kume, duke shtuar se edhe posta që do të realizojë procesin do të zgjidhet nga KQZ, por është një agjent i huaj, pra nuk është posta shqiptare.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb