Ambasadorja izraelite në Britani të Madhe gjatë një interviste dhënë për Sky News, ka reaguar me nervozizëm ndaj shumë pyetjeve që i janë parashtruar, shkruan BBC.
Tzipi Hotovely hodhi poshtë idenë e zgjedhjes me dy shtete për izraelitët dhe palestinezët. Por çfarë është zgjidhja me dy shtete?
“Zgjidhja me dy shtete” për konfliktin izraelito-palestinez është një formulë e mbështetur ndërkombëtarisht, e cila parashikon një shtet të pavarur palestinez në Bregun Perëndimor dhe Gaza, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet, së bashku me Izraelin, transmeton Telegrafi.
Bregu Perëndimor, duke përfshirë Jerusalemin Lindor, dhe Gaza – tani shtëpia e rreth pesë milionë palestinezëve – u pushtua nga Izraeli në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967. Palestinezët duan sovranitet mbi këto territore dhe fundin e kontrollit të Izraelit.
Që nga viti 1967, Izraeli ka ndërtuar rreth 140 vendbanime në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, të populluara nga më shumë se 700,000 hebrenj.
Vendbanimet konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, megjithëse Izraeli e kundërshton këtë.
Palestinezët dhe shumica dërrmuese e bashkësisë ndërkombëtare i shohin vendbanimet si një pengesë për paqen.
Një zgjidhje me dy shtete do të përfshinte heqjen e vendbanimeve, plotësisht ose pjesërisht, duke lënë ndoshta disa blloqe të mëdha nën sovranitetin izraelit.
Izraeli kundërshton një zgjidhje me dy shtete, duke argumentuar se kjo nuk do të sillte paqe sepse, palestinezët nuk e pranojnë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar në asnjë formë.
Izraeli gjithashtu e konsideron të gjithë Jerusalemin si kryeqytetin e tij dhe nuk është i gatshëm ta ndajë atë.
Marrëveshjet e mëparshme të paqes të mbështetura nga ndërkombëtarët midis Izraelit dhe palestinezëve parashikonin një fund të negociuar të konfliktit, pa përcaktuar krijimin e një shteti palestinez.
Por komuniteti ndërkombëtar e sheh një Palestinë të pavarur që jeton përkrah Izraelit si rrugën e vetme për një paqe të përhershme. /Telegrafi/