Ky është momenti kur Kyriakos Mitsotakis dhe Edi Rama bisedojnë pak minuta para fotografisë familjare të liderëve të BE dhe atyre të Ballkanit Perëndimor në samitin e lartë të Brukselit.
Sipas burimeve qeveritare greke në këto pak hapa të përbashkëta të tyre, kryeministri grek i ka përsëritur kreut të qeverisës shqiptare se pozicionimi i Athinës është i qartë dhe se Greqia nuk do të bjerë dakord për procesin e anëtarësimit të Tiranës nëse nuk ka progres për çështjen Beleri.
Sipas të njëjtave burime Mitsotakis ka theksuar në samit qëndrimin e prerë të Greqisë se çështja e marrjes së detyrës së Fredi Belerit dhe e drejta e tij për një gjykim të drejtë nuk është një çështje dypalëshe midis Greqisë dhe Shqipërisë, por një çështje respekti për shtetin e së Drejtës , fakt që përbën edhe nivelin më të lartë të procesit të anëtarësimit.
Në të njëjtën kohë, z. Mitsotakis ka nënvizuar vullnetin e sinqertë të Greqisë për të zgjidhur çështjen, në mënyrë që edhe procesi i anëtarësimit të Shqipërisë të ecë përpara.
Mediat greke i janë referuar hollësisht këtij çasti duke vënë në dukje faktin se Athina zyrtare që ka dërguar një letër që ju bashkangjit raportit të 27 vendeve anëtare për hapin e parë të nisjes së negociatave, thekson se në fazën tjetër do të ketë “bllokadë” ose vetο, nëse Fredi Beleri nuk lejohet të betohet dhe nuk respektohet e drejta e tij për një proces të drejtë gjyqësor.
Sipas gazetës Kathimerini çështja Beleri ka shkaktuar një situatë jo të këndshme mes kryeministrit Mitsotakis që i është përgjigjur indirekt qëndrimit përkrahës të kancelarit Scholz ndaj kandidaturës së Shqipërisë, duke shprehur qëndrimin e prerë të Greqisë se çështja Beleri nuk është një çështje dypalëshe, por europiane. Nga ana tjetër Kathimerini shkruan se perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë bëhet një arsye tjetër që Berlini të promovojë pikëpamjen e nevojës për vendimmarrje me shumicë të cilësuar.
Zgjerimi i kushteve të shumicës së cilësuar në çështjet e politikës së jashtme dhe mbrojtjes së përbashkët promovohet nga Berlini dhe mbështetet nga Komisioni Europian, ndërsa pritet të diskutohet dhe zbatohet pas zgjedhjeve për PE në qershor dhe në mënyrë efektive anulon veton e një shteti anëtar dhe çon në vendime me një shumicë të shtuar.
Gjithsesi burimet qeveritare shprehen se në Athinë mbizotëron një kënaqësi nga zhvillimet e fundit dhe veçanërisht me konkluzionet e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme që u miratuan ku për Shqipërinë ka pasur referenca të qarta sidomos në lidhje me çështjen e mbrojtjes së pakicave dhe të drejtave pronësore.
Top Channel