David Prince, Arkitekti i të Ardhmes së Butrinit

9 months ago 12

David Prince, bashkautor i Planit të ri të Integruar Menaxhimit të Butrintit të miratuar në vitin 2022 nga qeveria shqiptare, vdiq papritur më 9 janar në moshën 69-vjeçare. David ishte i apasionuar me Shqipërinë dhe në veçanti me Butrintin. Ai e vizitoi vendin shumë herë dhe e donte energjinë dhe përkushtimin e tij për të ardhmen.

David studioi në Universitetin Durham, përpara se të mbronte doktoraturën në Universitetin e Hull në Britani, ku u specializua në perceptimin dhe interpretimin e peizazhit. Kjo e shtyu atë të krijonte një kompani për t’u fokusuar në zhvillimin e muzeve dhe të planeve strategjike për sitet arkeologjike dhe trashëgiminë kulturore. Në vitin 2010 ai e bashkoi kompaninë e tij me arkitektin Simon Pearce për të krijuar Prince+Pearce. Klientët e tyre i përkasin një game të gjerë, që përfshin shumë muze britanikë deri te një projekt i madh i trashëgimisë së peizazhit në Oman.

David ishte gjithashtu profesor i ftuar në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe Historike në Kolegjin Universitar të Londrës, ku ai udhëhiqte studentët e doktoraturës në lëndët muzeale dhe të trashëgimisë, dhe ishte gjithshtu për shumë vite lektor vizitor në universitetet e Birminghamit dhe Gothenburgut. Një shkrimtar produktiv, vepra e tij më e njohur ishte Manuali i Kuratorisë: Një udhëzues për praktikën muzeale (1984), e vlerësuar nga kritika dhe e ribotuar shumë herë.

David u angazhua për herë të parë me Shqipërinë në rolin e tij si këshilltar i Organizatës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës (GCDO) në vitin 2003. Ai dhe ekipi i tij udhëhoqën GCDO-në në përgatitjen e planeve menaxhuese dhe strategjike për qytetin muze, që ishin pjesë e aplikimit për statusin Trashëgimi Botërore eUNESCO-s. Në vitin 2005 Gjirokastra u regjistrua, duke u bërë vendi i dytë i Trashëgimisë Botërore në Shqipëri. David ishte gjithashtu i angazhuar në projekte në Arkivin Kombëtar në Tiranë dhe projekte të trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Por ishte pikërisht për punën e tij në destinacionin kryesor të trashëgimisë kulture shqiptare, Butrintin, që David do të mbahet mend në Shqipëri. Në vitet 2018-2020, duke punuar për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit dhe Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, kompania Prince+Pearce hartoi një plan strategjik për Butrintin e viteve 2020-të. Duke iu përgjigjur vizionit të kryeministrit Rama për një industri të menaxhuar turistike për të ndihmuar rritjen ekonomike të Shqipërisë, Prince+Pearce përpiloi një strategji novatore për krijimin e një fondacioni të ri për menaxhimin e Butrintit, me investime në staf, konservim dhe shërbime për vizitorët që synojnë ta transformojnë këtë sit të Trashëgimisë Botërore në një destinacion i klasit botëror. Strategjia dhe plani i saj i biznesit tërhoqen kritika politike, por u miratuan nga qeveria në vitin 2022; një CEO i ri u emërua në 2024, ndërsa avancojnë planet për një qendër vizitorësh nga arkitekti i mirënjohur, Kengo Kuma (Tokio). Shkalla e vizionit të planit Prince+Pearce premton ta çojë Butrintin si eksperiencë vizitorësh në një nivel tjetër.

David ishte një intelektual i mençur dhe pasionant. Ai e donte pa masë Shqipërinë dhe miqtë që fitoi teksa ndërmerrte projektet e tij. Ai ishte i shqetësuar nga mospërfillja e dukshme për ndikimin e ndryshimeve klimatike në Butrint dhe shkroi shumë artikuj për këtë çestje. Në të njëjtën kohë, David e donte energjinë dhe risinë e të menduarit në Shqipëri. Ndërsa ishte thelbësisht anglez, ai zotëronte një dëshirë të thellë për të ndihmuar të tjerët, bashkë me pasionin për të mbrojtur planetin. Përgjithmonë gazmor, David ishte një burim i përhershëm inkurajimi dhe mbështetjeje, dhurata që tashmë do të mungojnë shumë teksa Butrinti ndjek vizionin e tij të të ardhmes në vitet në vazhdim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article