Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj zhvilloi një vizitë zyrtare në Kosovë, ku u prit në një takim nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, me të cilin bisedoi për forcimin e bashkëpunimit në sektorin bujqësor mes dy vendeve.
Në një deklaratë të përbashkët për shtyp pas takimit, Denaj tha, se ” midis vendeve tona ka eksperienca për t’u ndarë. Besoj çfarëdo eksperience që Shqipëria ka realizuar këto muajt e fundit dhe vitet e fundit në procesin screening mund të shërbejë si një eksperiencë për ju në të ardhmen”.
Ne, vijoi Denaj, jo vetëm na bëjnë krenarë për atë çfarë kemi arritur, por njëkohësisht na mundësojnë një këmbim më të rritur të shkëmbimet tona tregtare.
“Këtë vit shkëmbimet tregtare janë rritur me 15% dhe dua të prioritizoj disa nga produktet që ende kanë hapsirë për t’u këmbyer më shumë, siç janë bimët aromatike dhe medicinale, për të cilat ne po marim edhe akreditimin më të fundit nga agjensia jonë ISUV”, shtoi Denaj.
Kjo agjenci, shtoi Denaj, është po aq e rëndësishme për t’u ndërlidhur me institutet tuaja dhe ku disa nga këto shërbime mund t’i shërbejnë bizneseve të dy vendeve për të njëjtin funksion për kosto më të optimizuara.
“Kemi vajin e ullirit, që gjithashtu po njeh një transformim në Shqipëri dhe ku mund të marrim modelet më të mira që sot do të shohim sëbashku për të implementuar në një sistem që do të jetë efektiv”, tha Denaj.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Kosovës, Faton Peci tha, se gjatë takimit diskutuam për sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural si dhe shkëmbimin e përvojave mes dy vendeve.
“Siguria ushqimore është pjesë e sigurisë kombëtare. Ne anagzhohemi për rritjen e shkëmbimit tregtar dhe prodhimit midis dy vendeve tona”, tha Peci.
Ministri Peci theksoi se “sa i përket shkëmbimit tregtar që Kosova ka me Shqipërinë, sektori i bujqësisë në tre vitet e fundit ka shënuar rritje dhe progres”.
Peci u shpreh se “do të vizitojmë vreshtat e Rahovecit, dhe malet e Rugovës, për shkak se turizmi malor i Kosovës është ai që mund të jetë pjesa komplementare e turizmit që është me ngritje shumë domethënëse dhe në Republikën e Shqipërisë”.
(Balkanweb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb