Deputetët socialistë kërkuan penalizmin e kolegëve të “Rithemelimit”/ Sekretariati i Etikës përjashton 6 deputetë pas kaosit në Kuvend

1 year ago 14

Trembëdhjetë deputetë socialistë hodhën firmat në kërkesën e grupit parlamentar socialist, për ndëshkimin e shtatë deputetëve të Rithemelimit të Sali Berishës, të cilët shkaktuan kaos dhe prodhuan dhunë në seancën plenare të kuvendit të enjten.  

Sekretariati i Etikës mes debateve të shumta përjashtoi në Kuvend deputetët Gazment Bardhi, Bledion Nallbati, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi dhe Saimir Korreshi.

Në listën e kërkesës së socialistëve ishte edhe deputeti Lefter Gështenja, por Sekretariati nuk vendosi masë ndaj tij.

Sipas informacioneve, Korreshi u dënua me 3 ditë, ndërsa të tjerët me nga 10.

Në këtë kërkesë thuhet se deputeti Gazment Bardhi tentoi të godiste kryetaren e kuvendit me shishen e ujit që ishte në foltore.

Vullnet Sinaj, deputeti socialist i cili u godit nga kolegu demokrat Bledion Nallbati në një intervistë për Top Channel e shikon këtë ngjarje si të stimuluar nga faktorë të tjerë.

Vullnet Sinaj: Veprimi kolegut ishte një veprim i jo atij vetë. Ishte e ngritur nga gjendja ku ndodhet Sali Berisha nga veprimet e fundit të SPAK-ut kundra familjes së tij e dhëndërit të vet. I ndodhur tani përballë me shpatulla pas murit është ky person që thoshte se nuk do ta përdorte politikën dhe PD asnjëherë për të mbrojtur interesat personale. Tani me sa duket i ka ardhur fundi dhe është duke përdorur politikën për interesa personale. Mendoj se veprimi deputetit ishte veprim i nxitur nga Sali Berisha. Më vjen keq për deputetin që mund të jetë një vegël e përdorur në politikë dhe kjo është një nga gjërat më të ulëta që mund të ketë një deputet apo politikan i përdorur si vegël në politikë.

Muhamed Veliu: Pamë një konfrontim verbal deri diku jashtë sallës së parlamentit. Çfarë i thatë deputetit Nallbati?

Vullnet Sinaj: Unë me deputetin Nallbati nuk kam pasur asnjëherë asnjë përplasje apo keqkuptim. I kërkova se si mori guximin të më afrohej e tentonte të më godiste apo mos të më linte të fliste. Si e mori këtë guxim. Nuk kishte ç’të thoshte. Më tha se donte të merrte kartën ndërkohë që ishte e imja personale. Nuk kishte punë të merrte kartën. Kaq. Asgjë më shumë se kaq.

Muhamed Veliu: A keni ndërmend të dorëzoni kallëzim penal ndaj deputetit Nallbati?

Vullnet Sinaj: Unë do të jem njësh me grupin. Siç do të vendosë grupi i PS ai do të jetë edhe vendimi im.

Vetë Bledion Nallbati një ditë më pas me sportivitet ka tentuan ta hedhë pas krahëve veprimin e goditjes të Vullnet Sinajt.

Bledion Nallbati: Unë mendoj se Shqipëria ka halle më të mëdha që meritojnë vëmendjen e medias. Nuk ia vlen që media të merret akoma me një incident që nuk nderon askënd.

Për debatin e shkaktuar në Sekretariatin e Etikës reagoi edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Sali Berisha: Pra e shihni si bëhen mbledhjet këtu, thërret deputetët dhe i përjashton pa asnjë lloj baze ligjore. Sekretariati është për ti dëgjuar dhe ajo dëgjon vetëm njërin, largohet. E kam marrë unë thotë vendimin. Se jam unë ajo që marr vendimin pa pyetur as ligj dhe as rregullore.  Mediat i kanë larguar, e kanë shndërruar këtu në një shpellë krimi.  Ky nuk është më një parlament. Shikoni si merren vendimet. Po mbrohet nga 5 roje. Në vend që të dëgjojë deputetët, të dëgjojë arsyetimin e tyre, siç e kërkon edhe rregulli, e kam marrë vendimin thotë. Ky është turp. Paqe nuk ka më në këtë parlament deri në rikthimin e plotë të të drejtave kushtetuese të deputetëve. Ju konstatoni vetë se si e kanë shndërruar këto parlamentin, si kurrë ndonjëherë në historinë e tij. Përjashton deputetë pa u dëgjuar.

Sali Berisha: Po jepnin argumente se ky vendim ishte i paligjshëm, i pabazuar në rregullore dhe ishte në shkelje të të drejtave të parlamentarëve të opozitës. Ata një e dy, morën çfarë kishin dhe ikën, shkuan se ku, nuk mund të themi, por u zhdukën. Pra, parlamenti me zhdukje, me klandesinë.  Me vendime të tilla krejtësisht të paligjshme sepse rregullorja përcakton qartë, deputeti ndaj të cilit merret masa, duhet të thirret dhe të dëgjohet.

Pyetje: Ju ishit më shumë deputetë …

Sali Berisha: Aty mund të shkojnë të gjithë deputetët. Në çdo komision janë të lejuar të marrin pjesë, ne ishim të ulur si audiencë, kurse aty në tavolinën qendrore ishin deputetët të cilët Edi Rama kishte njoftuar përjashtimin e tyre. Pra nuk kishte asnjë shkelje rregullore nga ana e deputetëve të opozitës. Përkundrazi, Edi Rama e di, që ne nuk i ndahemi, e ka të qartë që ne nuk i ndahemi pa rikthimin e të drejtave tona kushtetuese. Ai ka tmerr nga kontrollet e opozitës. Unë u them ju se, Edi Rama në mënyrë absolute nuk do të mund të pengojë komisionin McGonigal. Dua ta dini ju se është pyetur nga FBI, dy orë në aeroportin e Nju Jorkut, kurse këtu kërkon që shqiptarët të mos marrin vesh asgjë. Do ti marrin vesh që të gjitha. Do të marrin vesh që të gjithë aktet e pasurimit të tij si mamuth, të paligjshëm. Do të marrin vesh të gjithë mekanizmat për dhunimin e votës dhe blerjen e saj. Ne qëndrojmë dhe nuk tërhiqemi. Sot ky ishte një moment i betejës tonë, por kjo betejë nuk ka të ndalur.

Pyetje: Z. Berisha, Nallbati është gjithashtu anëtar i sekretariatit për Etikën në parlament. Ai mund ta shfrytëzonte rastin të fliste qetësisht në parlament.

Sali Berisha: Çfarë ndodhi. Ndodhi që ajo mori shkresat dhe iku, tha e kam marrë vendimin tha.

-E kishte marrë pa qenë deputetët…

Sali Berisha: Absolutisht. Kështu tha vetë, është e regjistruar. Unë tha e kam marrë vendimin, iku. I erdhën edhe anëtarët e tjerë të komisionit dhe shkuan se ku u ndrynë në një zyrë për të firmosur vendimin. Ja pra ky është parlamenti shpellë.

Pyetje: Z. Berisha, pavarësisht protestës tuaj në Kuvend ditën e sotme, ata do marrin vendimin. Ku ju bëni një betejë dhe rezultati nuk është ajo që kërkoni dhe pretendoni …

Sali Berisha: Ata marrin vendimin, por të jeni të sigurt se ne do ta arrijmë rezultatin.

Pyetje: Të enjten si do të veproni në seancë. Deputetët e përjashtuar do të shkojnë në parlament …

Sali Berisha: Gjithçka do të vendoset nga grupi, do të mblidhemi, por ne vendimin nuk e njohim. Nuk njohim vendime të paligjshme. Por ju e patë vetë, janë të filmuar.

Pyetje: A keni një skenar tjetër përveç atij që shfaqet dje në seancën plenare.

Sali Berisha: Ka shumë skenare.

-A mund të na thoni?

Sali Berisha: Jo. Sepse siç e shef ti, kjo është një betejë që zhvillohet nga një grup deputetësh për herë të parë në historinë e demokracisë shqiptare në këtë formë.

Top Channel

Read Entire Article