“Deri dje disa personazhe s’prekeshin’/ Altin Dumani: Fokusi i SPAK, zyrtarët e lartë!

1 month ago 29

Kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani bëri një përmbledhje të punës së institucionit që ai drejton. Në Forumin Rajonal mbi Mirëqeverisjen dhe Luftën Kundër Korrupsionit, që u mbajt në Tiranë, ku të pranishëm ishin edhe kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali si dhe ambasadori i Delegacionit të BE-së në vendin tonë, Silvio Gonzato, Dumani u shpreh se SPAK është i përkushtuar për të vijuar punën e pandërprerë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për punën e bërë në 5 vite, Dumani tha se SPAK ka dëshmuar se ka kapacitetet dhe aftësitë për të ushtruar ndjekjen penale ndaj subjekteve të ndryshme, pavarësisht profilit të tyre politik apo publik, por pa lënë pas dore edhe luftën kundër krimit të organizuar. Ndër të tjera në fjalën e tij, Dumani tha se SPAK po maturohet dhe është në gjendje edhe për të pasur në fund një vendim fajësie, që sipas tij, tregon një proces penal të suksesshëm.

“Po të shikosh larminë e subjekteve për të cilët kemi arritur të ngremë akuza, i kemi në hetim, apo kemi përfunduar me një vendimmarrje, e tregon qartë këtë. Ne shikojmë zyrtarë të niveleve të larta në rang ish-zv/kryeministri, ministra, deputetë, gjyqtarë, prokurorë dhe zyrtarë të të gjitha niveleve, punonjës policie të nivelit të lartë krerë bashkish, ish-kryetarë bashkish. Këto duhen parë si tregues, shenjë se SPAK po maturohet dhe po rritet dhe është në gjendje jo vetëm nga pikëpamja e përdorimit të mjeteve e teknologji me qëllim sigurimin e provave e ngritjen e akuzave penale, por për të pasur në fund një vendim fajësie që tregon edhe një proces penal të suksesshëm,”- tha Dumani.

Por, shtoi Dumani, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është sfidë institucionale vetëm e SPAK-ut, por kërkon angazhim të veçantë të të gjitha institucioneve dhe shoqërisë civile në veçanti.

“Shoqëria civile është një partner i rëndësishëm përballë presioneve të mundshme nga pushtetet e tjera,”- tha ai.

Për të, pavarësia institucionale është një kusht themelor që SPAK të vazhdojë të kryejë detyrën si Prokurori e Posaçme.

“Kam parasysh pavarësi të jashtme nga pushtetet e tjera dhe pavarësi të prokurorëve për të ushtruar detyrën e tyre për ndjekjen penale”, deklaroi ai.

E pranishme në forum, Kryeparlamentarja Elisa Spiropali vlerësoi rolin ekuilibrues dhe balancues të pushtetit gjyqësor, ndërsa theksoi se tashmë askush nuk është i paprekshëm nga drejtësia.

“Ka ndodhur këtu kur prokurorët e përgjithshëm të këtij vendi shiheshin si vartës, trajtoheshin si kundërshtarë dhe luftoheshin si armiq. Ndodhte kjo kur njerëzit e gjyqësorit silleshin si despotë të pavarur nga ligji, me përgjegjësi vetëm ndaj një grushti njerëzish të politikës që nuk e shikonin, në vend që t’i hetonin. Pas shumë dilemash sot askush në sallonin e politikës nuk ka imunitet, amnisti, nuk ka bunker ta shpëtojë nga e shkuara dhe përballja me drejtësinë, sa herë ajo është e nevojshme”, tha Spiropali.

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato theksoi rëndësinë që rezultatet e prekshme për uljen e korrupsionit të jenë të dukshme, ndërsa vlerësoi krijimin e Komisionit të Posaçëm me synimin e avancimit të reformave të mirëqeverisjes, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit.

Read Entire Article