Dëshmitë e Artan Tafanit kanë “shkundur” botën e krimit, duke zbardhur dhjetra ngjarje kriminale të “pluhurosura” në dosjet e drejtësisë. Të paktën 15 urdhërarreste janë lëshuar pas dëshmisë së Tafanit, ndërsa të tjerë pritet të ekzekutohen. Dëshmitë e tij lidhen kryesisht me grupin kriminal të Lushnjës, “koka” e së cilit është Laert Haxhiu, rivali i Aldo Bares.
Gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj mëson vrasjet e zbardhura nga dëshmitë e Tafanit. Gjashtë vrasje janë zbardhur nga policia dhe prokuroria pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Bëhet fjalë për vrasjen e Lulzim Qorrit dhe Dikens Halilit, të ekzekutuar në shtetin grek. Mbytja në rezervuar e Fridmand Xhaferrajt, eliminimi i Alban Semakut, i cili u mor peng.
Nga ana tjetër, Laert Haxhiu që besohet të jetë dhe porositës i këtyre atentateve, ndodhet në Greqi, ndërsa është në “luftë” me drejtësinë për të mos lejuar ekstradimin drejt Shqipërisë.