“Dështon në ndeshjet e mëdha” – Lautaro i kthen përgjigje goditëse legjendës së Milanit

6 months ago 12

Debati mes Alessandro Costacurta dhe Lautaro Martinez pas eleminimit të Interit në Ligën e Kampionëve nga Atletico Madrid është intensifikuar pas komenteve të ish-mbrojtësit të Milanit, i cili tanimë është bërë një analist i njohur në “Sky Sport Italia”.

Costacurta, duke reflektuar mbi performancën e fundit të Martinezit, ka deklaruar se priste më shumë nga sulmuesi i Interit, veçanërisht pas një Kampionati Botëror ku Martinez nuk arriti të shkëlqejë.

Në vlerësimin e tij të ashpër, Costacurta shprehu dyshimet e tij për aftësinë e sulmuesit për të demonstruar të njëjtat performanca të larta në ndeshjet kritike ndërkombëtare siç bën në Serie A. Sipas tij, për të qenë i suksesshëm në Evropë, nevojitet një lloj mentaliteti dhe vendosmërie të cilat janë të ndryshme nga ato që kërkohen në kampionatin italian.

Pas afro një dekade nga deklarata e Costacurta, Lautaro gjeti mundësinë të reagojë ndaj komenteve të ish-mbrojtësit gjatë një interviste. Ai iu përgjigj kritikave duke mohuar idenë se ai nuk luan mirë në ndeshjet më të rëndësishme, duke sjellë si shembull golin që shënoi në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve kundër Milanit, e cila është një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e të dy klubeve.

“Besoj se Costacurta kishte thënë që nuk luaja mirë në ndeshjet e rëndësishme dhe kjo nuk është e vërtetë”, deklaroi fillimisht El Toro.

“Të shënosh një gol në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve kundër Milanit, një ndër ndeshjet më të rëndësishme në historinë e të dy klubeve, as kjo nuk vlejti?”.

“E ftoj ta rishikojë atë gol. Dhe jo vetëm atë, por edhe shumë ndeshje të tjera. Te Interi po përjetoj një moment shumë të bukur dhe jam i lumtur që bëj historinë siç ka ndodhur me shumë argjentinas të tjerë në të kaluarën”.

“Duke punuar ditë pas dite shpresoj se do të vazhdojmë këtë rrugëtim për t’ju dhuruar tifozëve tanë gëzime të mëdha”, ka shtuar më tej Lautaro. /Telegrafi/

Read Entire Article