Dhjetë federatat me përfitimet më të mëdha nga sponsorizimi – FBK i prinë listës, FFK asnjë cent

8 months ago 23

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka publikuar listën e të gjitha federatave dhe klubeve që kanë inkasuar të hyra nga sponsorizimi gjatë vitit 2023. Federatat kanë fituar mjaftueshëm nga ligji, por janë disa nga to që e kanë bërë diferencën me fitime. Befasia është Federata e Futbollit të Kosovës, e cila nuk ka përfituar asnjë cent.

MKRS ka publikuar listën e përfitimit të sportit nga ligji i sponsorizimit për vitin 2023. Sipas asaj që thuhet në postimin e tyre, me sponsorizim të federatave dhe klubeve sportive, shteti i Kosovës i mundëson bizneseve që të lirohen nga pagesa e tatimit në fitim deri në 30 për qind dhe atë buxhet ta orientojnë në sport.

Siç tregon edhe vet lista e publikuar nga MRKS, sporti që ka përfituar më së shumti nga ky ligj është ai i futbollit, me rreth 6 milionë euro të përfituara.

Pas futbollit sporti që ka përfituar më së shumti nga ligji i sponsorizimit del të jetë basketbolli me 5.8 milionë euro ndërsa top treshen e kompleton ai i volejbollit me rreth 1.1 milion euro.

Por, cilat janë federatat sportive që kanë fituar më shumë të hyra nga sponsorizimi në vitin 2023?

Në listën e siguruar nga Telegrafi, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) prinë dukshëm listën me fitime prej 228,096 eurosh nga sponzorimi.

Pas FBK-së, vijnë Federata e Xhudos e Kosovës me 160,000 euro të siguruara, Federata e Volejbollit e Kosovës me 122, 200 euro në vendin e tretë dhe Federata e Hendbollit e Kosovës me 115, 000 euro në vendin e katërt.

Në vendit e pestë renditet Federata e Tenisit e Kosovës me 61, 000 euro, Federata e Shahut e Kosovës në të gjashtin me 56,000 euro, Federata e Atletikës e Kosovës me 21,000 euro në të shtatin, Federata e Boulingut e Kosovës në vendit e tetë me 17,000 euro dhe Federata e Ragbit e Kosovës dhe Federata e Golfit e Kosovës ndajnë pozitat nëntë dhe dhjetë me nga 15, 000 euro.

Ajo që vlen të theksohet është se Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nuk ka siguruar as edhe një cent nga ligji i sponsorizimit për vitin 2023.

Të hyrat e federatave sportive nga marrëveshjet e sponsorizimit (2023)

/Telegrafi/

Read Entire Article